2011-04-15 17:40:28

Gjon Pali II: hollësira e kureshtje nga Papnia


Duke ecur në rrugën e përtëritjes së Kishës, nisur nga Koncili II i Vatikanit, Gjon Pali II i thjeshtoi shumë shenjat simbolike të kremtimit tradicional, me qëllim që ta bënte papninë e tij sa më pak të ngjashme me një mbretëri të mirëfilltë. Vendosi të mos e përdorte ‘pluralis maiestatis’ – shumësin e madhërisë, duke e quajtur veten ‘unë’ e jo ‘Ne”. Zgjodhi kremtimin e një Meshe të thjeshtë për fillimin e shërbimit papnor, në vend të ceremonisë së kurorëzimit të papës, që vijoi të kremtohej deri në papninë e Gjon Palit I.

Stema e tij, ashtu si e paraardhësve, kishte përsipër Tiarën, një tip kapeleje extra –liturgjike, përdorur nga papët, si në stemat e tyre, ashtu edhe në dukjet publike, duke nisur që nga shekulli XIV. Një mbulesë e tillë e kokës, shikohej shpesh si simbol i pushtetit tokësor e i pasurisë. Gjon Pali II nuk e vuri kurrë në kokë tiarën. E zëvendësoi me mitrën. E këtë zëvendësim e shpjegoi kështu, në homelinë e meshës, kremtuar për fillimin e papnisë:
“Papa Gjon Pali I, kujtimi i të cilit është tejet i gjallë në zemrat tona, nuk deshi ta përdorte tiarën, e sot as pasardhësi i tij nuk e dëshiron. Nuk është koha të rikthehemi tek një rit, e sidomos, tek ai që, padrejtësisht, është konsideruar si simbol i pushtetit tokësor të papëve”.
(Gjon Pali II, në Meshën e fillimit të papnisë, 22 tetor 1978).
Në homelinë e parë të papnisë, Papa Vojtila foli edhe për simbolikën e tri kurorave të tiarës, duke u dhënë një shpjegim krejt të ri. I konsideroi si simbole të misionit të trefishtë të Krishtit: “Meshtar, Profet-mësues e Mbret”.







All the contents on this site are copyrighted ©.