2011-04-15 15:03:04

E Premtja e Madhe në Indi, lutje për viktimat e sulmeve kundër të krishterëve


(15.04.2011 RV)Do të jetë një procesion i heshtur, i shoqëruar me agjërim e lutje, ai i së Premtes së Madhe, 22 prill, në Mumbai, ku do të mblidhen mëse 20 mijë të krishterë. Nisma është organizuar nga “Catholic Secular Forum” (Forumi i laikëve katolikë) dhe mbështetet nga shumë grupe e shoqata të tjera të krishtera. Besimtarët do të luten për të krishterët e persekutuar e, në veçanti, për viktimat e sulmeve antikristiane në Indi. Procesione do të mbahen edhe në qytete të tjera indiane si Delhi, Kalkuta, Bangalore, me qëllim sensibilizimin e institucioneve dhe të opinionit publik për gjendjen e të krishterëve në vendin aziatik. Shtetet, ku ata sulmohen e persekutohen vazhdimisht janë Orisa – e famshme për masakrën e të krishterëve në vitin 2008 – por edhe Karnataka, Madija Pradeshi e Maharashtra. Gjatë këtij viti, Forumi i Laikëve Katolikë regjistron të paktën një episod dhune në ditë. Kreu i tij, Jozef Dias deklaron për agjensinë e Vatikanit, Fides: “Të krishterët bëhen lehtë viktima, sepse nuk përgjigjen me dhunë e me hakmarrje, por me lutje e me falje… Shpesh preteksti (i dhunës kundër tyre) është akuza e rreme për prozelitizëm, ose për kthime me detyrim në krishterim. Arsyeja e vërtetë është se ekstremistët hinduistë nuk e tolerojnë impenjimin shoqëror të të krishterëve në shkolla e në spitale e, sidomos, veprën e tyre të çmuar për promovimin njerëzor, ekonomik e shoqëror të dalitëve dhe të tribalëve të shtypur e të diskriminuar nga shoqëria e kastave, pasi shpesh, më vonë, këta kërkojnë të kthehen në fenë e krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.