2011-04-15 17:39:40

Atë Kantalamesa në predikimin e Kreshmëve: dashuria e krishterë ka vlerë shoqërore.


(15.04.2011 RV)Sot paradite, në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, në Vatikan, atë Raniero Kantalamesa mbajti predikimin e katërt e të fundit të Kreshmëve, në praninë e Benediktit XVI e të Kuries Romake. Predikatari i Shtëpisë Papnore meditoi mbi temën e vlerës shoqërore të Ungjillit. Dashuria e krishterë, nënvizoi me forcë predikatari, nuk shprehet me fjalë, por me fakte, me gjeste konkrete bamirësie të cilat, vijon të na kujtojë Jezu Krishti, do të peshohen një ditë me kandarin e Gjyqit të fundit.
Historianët e Kishës, vijoi rregulltari kapuçin, në frymën e solidaritetit vëllazëror shikojnë një nga faktorët kryesorë të përhapjes së krishterimit në tre shekujt e parë. Në fillim feja e krishterë gjeti shprehjen e vet në nisma konkrete bamirësie; më vonë, në institucione, që vijojnë veprimtarinë e tyre edhe sot e kësaj dite. I kushtohen kujdesit për të sëmurët, ndihmojnë vejushat e jetimët, ngushëllojnë njerëzit në pranga, shtrojnë sofra për të varfërit, strehojnë njerëz të ardhur nga vise të huaja, të njohura e të panjohura. Epoka moderne, e posaçërisht vitet tetëqind, shënuan një kthesë të madhe, duke vënë në pah problemin shoqëror. U pa qartë se nuk mjafton t’i ndihmosh të varfërit e të shtypurit, duke i njohur nga afër e një për një, nevojat e secilit, por duhet punuar për të ndryshuar strukturat, që krijojnë varfëri e të varfër, shtypje e të shtypur. Sepse burimi i varfërisë duhet kërkuar pikërisht në strukturat shtetërore që sundojnë mbi njeriun në rrjedhë shekujsh. E pikërisht prej këndej lindi edhe Doktrina shoqërore e Kishës.
Ungjilli, vijoi të kujtonte atë Kantalamesa, nuk i zgjidh drejtpërdrejt problemet shoqërore, por përmban parimet, që ndihmojnë për t’u dhënë përgjigje konkrete situatave të ndryshme historike. E, duke pasur parasysh se situatat e problemet ndryshojnë nga epoka në epokë, i krishteri është i thirrur t’i mishërojë herë pas here parimet e Ungjillit, në përkim me gjendjen, në të cilën jeton. Ky është edhe synimi i Enciklikave shoqërore të papëve, përfundoi predikatari i Shtëpisë Papnore. Ato pasojnë njëra-tjetrën, duke e zhdredhur fillin e mendimit, aty ku e lanë parardhësit e duke iu përgjigjur instancave të reja, që lindin në shoqëritë e reja, mbi bazën e interpretimit të Fjalës së Zotit në mënyra gjithnjë të reja, gjithnjë në përkim me kohët, në të cilën jeton shoqëria njerëzore. E kjo do të thotë të dish t’i kuptosh shenjat e kohëve.
Ishte predikimi i fundit. E Premtja e ardhshme është dita e heshtjes së madhe, dita e Kalvarit, që paralajmëron të Dielën e Ringjalljes, Ditën e Pashkëve! Do ta jetojmë, duke shoqëruar Krishtin në Udhën e Kryqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.