2011-04-15 18:37:42

400 vjet më parë Galileo përdorte mjetin, që do të quhej “teleskop”.


(15.04.2011 RV)400 vjet më parë, në mbrëmjen e 14 prillit 1611, një matematikan i ardhur nga Padova, punësuar prej disa ditësh si filozof në oborrin e familjes së Mediçëve, në Firence, arrinte në Romë, për t’i treguar një grupi të vogël studiuesish mbi Kodrën e Gjanikolos, në Trastevere, një instrument, që kishte ndërtuar për të parë në thellësinë e qiellit. Një nga shkencëtarët e pranishëm, specialist i greqishtes, gjeti edhe termin e ri për këtë mjet, që ishte në gjendje t’i krijonte syrit njerëzor mundësinë të arrinte, atje, ku nuk kishte mundur të arrinte deri në atë çast. E quajti “teleskop”, që do të thotë “mjet, i cili e mbledh dritën e ardhur nga një objekt i largët dhe e koncentron në një pikë, duke riprodhuar figurën e objektit”.
Matematikani, natyrisht, ishte Galileo. Ndërsa ngjarja kujtohet në numrin e 14 prillit të gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, nga jezuiti-astronom, Gi Konsolomanjo, në një shkrim interesant, kushtuar shpikjes së teleskopit.
Ç’panë vallë shkencëtarët atë natë të jashtëzakonshme? - vijon artikulli. Nuk është e vështirë ta zbulojmë, në se përdorim një program planetar të kompjuterizuar. Atë natë Hëna kishte formën e një drapëri tejet të hollë e ndoshta ishte tepër ulët, për t’u soditur me teleskopin e Galileos. Në fakt, po të mos kishin ditur ku duhet të shikonin ekzaktësisht, nuk do ta kishin parë fare e ajo do të kishte perënduar para se qielli të bëhej me të vërtetë i errët – shkruan astronomi jezuit.Nuk është thjeshtë kuriozitet. Ngjarja u kujtua nga Akademia Amerikane në Romë, pikërisht në vendin ku 400 vjet më parë Galileo u tregonte shkencëtarëve teleskopin. Asokohe shkencëtari u dënua nga Vatikani, por, siç u theksua gjatë takimit në Akademinë Amerikane, sot Selia e Shenjtë e vlerëson lart shkencëtarin në veçanti, e shkencën në përgjithësi. E dëshmon këtë, fakti se ka një nga Observatorët më të mirë astronomikë në Botë, me shkencëtarë kryesisht jezuitë, e se e pasqyroi këtë ngjarje me gërma të mëdha në të përditshmen e vet ‘L’Ossevatore Romano”.







All the contents on this site are copyrighted ©.