2011-04-15 16:15:17

24 vjet burg për kroatin Ante Gotovina


(15.04.2011 RV)Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dënoi sot me 24 vjet burg Ante Gotovinën, gjeneralin kroat të akuzuar për krime lufte gjatë konfliktit me Serbinë. 18 vjet për një gjeneral tjetër kroat, Mladen Markaç.
Pavarësisht se konsiderohet hero në atdhe, gjenerali Gotovina u hodh në gjyq për krime lufte gjatë Operacionit të famshëm “Oluja” (Stuhia) në gusht 1995. Nga Kroacia u përzunë mijëra qytetarë me kombësi serbe, qindra prej të cilëve u vranë. Gjenerali u arrestua më 7 dhjetor 2005 në ishullin e Tenerifes në Kanarie, pasi qe fshehur për katër vjet me radhë. Procesi kundër tij filloi më 11 mars 2008 e përfundoi në shtator 2010. U konsiderua fajtor për 8 akuza, ndër të cilat vrasje, persekutim e përzënje me dhunë. Prokurori pati kërkuar dënim me 27 vjet burgim.
Së bashku me Ante Gotovinën, në bankën e të akuzuarve u ulën edhe dy ish-gjeneralë të tjerë kroatë, Mladen Markaç dhe Ivan Çermak, për të cilët u kërkuan 23 e 17 vjet burgim. Gjykata e Hagës deklaroi të pafajshëm Çermak, ndërsa Markaç u dënua me 18 vjet.
Sipas analistëve, vendimi do të jetë me pasoja për politikën e shoqërinë kroate. Është e vërtetë se shumica e kroatëve dëshiron të zhvillohen proceset për kriminelët e luftës, por përqindja zbret me shpejtësi nëse shtrohet çështja e “heronjve të luftës patriotike”, siç quhet në Kroaci lufta e viteve ’90 me Serbinë e Millosheviçit.
Vështirë që opinioni publik kroat të pranojë se në luftën patriotike për çlirimin e vendit nga serbët, të jenë kryer edhe krime kundër njerëzimit. Prandaj, vendimi i Gjykatës së Hagës mund të zgjojë ndjenja antievropiane, që mund të ndikojnë mbi referendumin e vjeshtës, në të cilin Kroacia duhet të thotë qartë nëse dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Por mund të ketë pasoja edhe mbi politikën e brendshme, duke penalizuar krerët aktualë të shtetit e të qeverisë, të cilët përjetojnë një krizë të rëndësishme, pas akuzave për korrupsion, që çuan në arrestimin e ish-kryeministrit Ivo Sanader. Zgjedhjet janë afër, së shumti mund të zhvendosen në fillim të vitit 2012 dhe, dënimi i Gotovinës mund të sjellë forcimin e së djathtës ekstreme.







All the contents on this site are copyrighted ©.