2011-04-14 05:57:20

U paraqit, në Vatikan, “YouCat”, doracaku i katekizmit për Ditën Botërore të Rinisë të Madridit.


Në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit dje “YouCat”, doracaku i Katekizmit të Kishës Katolike për të rinjtë, që do të marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë të këtij viti në Madrid. Një kopje e “YouCat” iu dorëzua Papës nga një grup të rinjsh, në përfundim të audiencës së djeshme të përgjithshme mbajtur në Vatikan.
Në konferencën e shtypit, ndërmjet të tjerëve, folën kardinali Stanisalo Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët; kardinali Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës; kryeipeshkvi Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri.
Është një ndihmesë e re, me vlerë, për ta fuqizuar gjithnjë më shumë fenë e të rinjve: ky është qëllimi i “YouCat”, hartuar në formën e 527 pyetjeve e përgjigjeve, përkthyer në gjashtë gjuhët zyrtare të DBR-së. Gjatë këtij viti do të përkthehet edhe në gjuhë të tjera e do të shpërndahet në 700 mijë kopje, në takimin e madh të Madridit.
Kardinali Rilko nënvizoi se nuk mund ta zëvendësojë Katekizmin e madh, ndonëse në përkim të plotë me të e me një gjuhë të përshtatshme për të rinjtë. Për kardinalin polak, kjo ndihmesë i hap rrugën njohjes së plotë me Katekizmin e Kishës Katolike:
“T’i edukosh të rinjtë ta studiojnë me impenjim YouCat, është detyrë themelore, për t’i ndihmuar ta kuptojnë se feja nuk është frymëzim subjektiv, as ndjenjë e thjeshtë fetare e as ideologji, por metodë për të njohur të vërtetën, takim me një ngjarje, me një Person të gjallë, që quhet Jezu Krisht”.
Kardinali Shënborn vuri theksin mbi sfidën e realizimit të një teksti katekizmi, fryt i bashkëpunimit të të rinjve me teologët, që t’u përgjigjet plotësisht kërkesave të botës rinore:
“Është bërë një aventurë e pabesueshme, e është mrekulli që sot, në duart tuaja keni një katekizëm për të rinjtë, besnik i Katekizmit të Kishës Katolike por që, megjithatë shprehet me një gjuhë të zgjedhur fjalë për fjalë, pyetje për pyetje, gjuhë, për të cilën u punua dy vera me radhë”.
Në diskutimin e tij, kryeipeshkvi Rino Fizikela vërejti se katekizmi sot është themelor për jetën e breznive të reja, që kanë shpesh formim kulturor fragmentar, gjë që i pengon të krijonë një vizion unitar të jetës. U ndalua, pastaj, tek vlerat e “YouCat”:
“'YouCat' nuk është vetëm një ndërmjetësim i shkëlqyer drejt Katekizimit të Kishës Katolike. I përgjigjet edhe një kërkese të së sotmes, që duhet të dijë t’ua paraqesë të rinjve pasurinë e fesë, të cilën të krishterët e praktikojnë në çdo kohë e në çdo vend, me një gjuhë të thjeshtë, të plotë e sidomos, të kuptueshme”.
E, kujdes përkthimin! Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kardinali i Vjenës shpjegoi se në tekstin e përkthyer gjermanisht, ka disa pasaktësi, sidomos atje ku flitet për metodat e parandalimit të shtatzënisë e për eutanazinë. Prandaj, Kongregata e Vatikanit për Doktrinën e Fesë do të formojë një grup studimi, që do të punojë për korrigjimin e gabimeve në tekstet e përkthyera në gjuhë të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.