Papa, patrikut të ri maronit, Bekara Raji: Lindja e Mesme dëshiron një paqe të qëndrueshme
Lindja e Mesme dëshiron e ka nevojë për një paqe të qëndrueshme, në arritjen e së
cilës mund të kontribuojë edhe Kisha, sidomos ajo, që jeton në atë zonë. Kështu i
tha Papa sot paradite, Patrikut të ri të Antiokisë së Maronitëve, Shkëlqesisë së Tij
Bekara Butrus Raji dhe grupit të ipeshkvijve e të besimtarëve, të cilët i priti në
audiencë në Sallën Klementina në Vatikan. Para dymijë vjetësh, Antiokia ishte një
qytet i madh dhe i zhvilluar i Perandorisë romake, në të cilin gjetën vend ndjekësit
e parë të Zotit të Kryqëzuar, që për herë të parë, u quajtën “të krishterë” pikërisht
në atë qytet. Sot, tha Benedikti XVI, selia patriarkale e Antiokisë së Maronitëve
është në krye të një bashkësie katolike, jo nga më të mëdhatë e universit të krishterë,
por që qëndron akoma aty. Kjo bashkësi duhet e mund të rigjejë entuziazmin e të krishterëve
të parë, të atyre që i dëgjonin me zell mësimet e apostujve, që i qëndronin besnikë
bashkimit vëllazëror, thyerjes së bukës e lutjes. Kisha Maronite në Liban, e kryesuar
nga patriku Bekara Raji, i zgjedhur në krye të saj vetëm pak javë më parë, numëron
një milion besimtarë, por jashtë kufijve libanezë, numri dyfishohet. Është një Kishë
e lashtë sa Ungjilli, por ka nevojë të rizbulohet, siç kërkoi edhe Sinodi për Lindjen
e Mesme, tetorin e kaluar: “Ngaqë ndodheni në zemër të Lindjes së Mesme, ju
kryeni një mision të jashtëzakonshëm ndërmjet njerëzve, të cilëve, dashuria për Krishtin,
ju shtyn t’u shpallni Lajmin e Mirë të Shëlbimit… Ky rajon i botës, që Patriarkët,
Profetët, Apostujt e vetë Krishti e kanë bekuar me praninë e me predikimin e tyre,
dëshiron një paqe të qëndrueshme, të cilën Fjala e së Vërtetës, e dëgjuar dhe e jetuar,
ka aftësinë ta vendosë”. 1600 vjet pas vdekjes së Shën Maronit, themelues i
bashkësisë katolike libaneze, objektivi i pasardhësve të tij nuk ka ndryshuar, pohoi
më pas Benedikti XVI. Ai është rrënjosja e Krishtit në ndërgjegjet e njerëzve. Vazhdojeni
këtë impenjim, i këshilloi Papa ipeshkvijtë, “duke u ofruar, sidomos të rinjve, formimin
njerëzor e shpirtëror, moral e intelektual”, përmes përdorimit të rrjetit shkollor
e katekistik maronit, të cilit ia njoh cilësinë. E shtoi: “Uroj me gjithë zemër,
që roli juaj në formimin e tyre të njihet gjithnjë e më mirë nga shoqëria, në mënyrë
që vlerat themelore të përçohen pa diskriminime. Kështu, të rinjtë e sotëm do të bëhen
burra e gra me përgjegjësi në familje e në shoqëri, për të arritur një solidaritet
e një vëllazërim më të madh ndërmjet të gjitha përmasave të kombit”.
Papa falenderoi për punën e bërë patrikun, që e lë detyrën, kardinalin Nasrallah Pierr
Sfir dhe të gjithë Kishën libaneze për bashkimin e saj me selinë e Shën Pjetrit. Së
fundi, i nxiti patrikun e ri dhe ipeshkvijtë maronitë të mendojnë më shumë për formimin
e meshtarëve dhe të të rinjve, që duan t’ia kushtojnë jetën Zotit, sidomos duke dhënë
shembullin personal e duke qenë dëshmitarë të vërtetë të Fjalës së Zotit.