2011-04-14 05:57:36

Fotografi të Gjon Palit II në lutje, në një ekspozitë, në Romë


Gjon Pali II në lutje, përpara tabernakullit; në procesionin e Corpus Domini; rrethuar nga dritat; nga turmat; papamobili i bardhë, që spikat, i fotografuar nga lart... E pastaj, meditimet në Lurdë, para Shpellës së dukjeve, në njërin nga shtegtimet e tij të fundit, si i sëmurë, ndërmjet të sëmurëve. E rikthim në majin e vitit 1982, ndërsa luhatet, i goditur nga plumbi; e akoma, në mes të të rinjve të Tor Vergatës, duke i ushqyer me Krishtin Eukaristik...
Janë disa nga 36 fotografitë, që mund të soditen në ekspozitën kushtuar të Lumit të ardhshëm, hapur në Romë në Pab-in ‘Karol Vojtila’, promovuar nga Zyra për punën baritore me të rinjtë e Vikariatit të Romës. Tema e ekspozitës është “Gjon Pali II dhe Eukaristia”.
Këto ditë shihen shpesh foto të Papës Gjon Pali II në ceremoni të mëdha, në Ditët Botërore të Rinisë, në kremtime mes turmash, por kjo ekspozitë ka një synim tjetër: e paraqet Gjon Palin II në lutje, duke pasur parasysh se lutja ishte zemra e jetës së tij. Kush pati fatin ta njohë nga afër, kujton një Papë, që kalonte orë të tëra në gjunjë para Eukaristisë, në një bisedë të gjatë, pa fund, në heshtje të thellë, me Zotin. Prandaj çdo fotografi pasurohet edhe me një reflektim të të Lumit të ardhshëm. Për të jetuar Eukaristinë – na kujton në një nga këto reflektime - duhet ta adhurosh për një kohë të gjatë, me sigurinë se do të gjesh forcë, ngushëllim, mbështetje.Një nga fotografitë e fundit e paraqet Gjon Palin II në të Premten e Madhe, e mbramja e jetës së tij mbi tokë, me pamjen e njeriut tejet të vuajtur, në sa ndjek Udhën tradicionale të Kryqit nga një video, në Kapelën e tij. Në duar shtrëngon Kryqin, që e ndihmoi e i dha forcë të duronte dhimbje mbi dhimbje, deri në fund të fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.