2011-04-13 16:11:39

Zona përreth Fukushimës, e pabanueshme për 20 vjet


(13.04.2011 RV)Zona përreth centralit bërthamor të Fukushimës, në Japoni, do të jetë e pabanueshme të paktën për 20 vjet. Ky është vendimi i qeverisë së Tokios, e cila propozon ndërtimin e një “qyteti ekologjik”, ku të strehohen 10 mijë personat e detyruar të largohen nga Fukushima.
Ndërkaq, tërmetet me amplitudë më të vogël, por gjithnjë të rrezikshëm, vazhdojnë të godasin zonën verilindore të Japonisë. Niveli i rrezikshmërisë së centralit bërthamor mbetet gjithnjë 7, i njëjtë me atë të Çernobilit, por ekspertët shpjegojnë se gjendja nuk është aq e vështirë sa ajo, që u krijua pas shpërthimit të reaktorit ukrainas. Të dëgjojmë zv.presidentin e Shoqatës Italiane të Mjekësisë Bërthamore, Masimo Salvatori, pedagog në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, në Romë:
Niveli i rrezikshmërisë 7, pa dyshim, sjell konfuzion. Sigurisht, nga pikpamja teknike aksidenti i Fukushimës është i ngjashëm me atë të Çernobilit, por, mund ta themi që tani, se pasojat klinike mbi shëndetin e popullsisë do të jenë shumë të ndryshme. Të marrim shembullin e Çernobilit, ku u çlirua një sasi e madhe radioaktiviteti, por rritja e rasteve me tumor në tiroide, sidomos ndër fëmijët, u përcaktua nga një sërë faktorësh të tjerë. Së pari: Bashkimi Sovjetik, në atë kohë, nuk kishte asnjë program parandalimi të problemeve në tiroide, gjë që bëhet përmes marrjes së jodit me anë të ushqimeve, prandaj, tiroidet e fëmijëve ishin të predispozuara për ta thithur jodin radioaktiv. Së dyti: nuk u zbatua, si në Poloni, procesi i bllokimit të funksionit të tiroides tek fëmijët e, së treti: fëmijët vazhduan të pinin qumështin e podhuar në atë zonë, nga kafshë, që ushqeheshin me bar të ndotur me lëndë radioaktive. Përvoja e 25 vjetëve pas Çernobilit bën që këto gabime të mos përsëriten. Nga ana tjetër, pas shpërthimit, centrali ukrainas mbeti aktiv për ditë me radhë e një kolonë tymi radioaktiv u zgjat me dhjetra kilometra. Një skenar krejtësisht i ndryshëm nga Fukushima.







All the contents on this site are copyrighted ©.