2011-04-13 17:02:01

Roma e Papa i Lum: në Kapitol flitet për shërbimet dhe manifestimet e ngjarjes së madhe të 1 majit.


(13.04.2011 RV)Numri i shtegtarëve, që priten në Romë për ngjarjen e madhe të 1 majit, mund ta kalojë milionin. E, kuptohet, shtegtarët do të jenë të pranishëm para e pas 1 majit e qyteti dëshiron të jetë gati, për t’i pritur sa më mirë. Dje, në Kapitol, u paraqitën manifestimet dhe shërbimet, që do t’u ofrohen shtegtarëve në këtë çast të madh feste, në përpjekjen për të krijuar një atmosferë sa më të përzemërt e mikpritëse e për ta bërë sa më të njohur figurën e madhe të Gjon Palit II, edhe si ipeshkëv i Romës e si mik i gjithë shoqërisë, edhe asaj laike e jo katolike. Këto janë objektivat, mbi të cilat vuri theksin kryetari i bashkisë, Gianni Alemanno dhe mëkëmbësi i Papës për dioqezën e Romës, kardinali Agostino Valini.RealAudioMP3
“Unë ju kërkova, e ju erdhët. Prandaj ju falënderoj”: janë fjalët e Gjon Palit II, të cilat i prijnë në këto orë makinës së madhe organizative. Kjo makinë, ndërmjet datave 30 prill e 2 maj, do ta bëjë Romën qytet, që ia hap në dy kapakët portat mbarë botës. Roma do të jetë, këto ditë kulmore pranvere, Qytet i hapur, në kuptimin më gazmor të kësaj fjale! Mobilizimi, që për herë të parë bazohet në bashkëpunimin, edhe financiar, të Veprës Romake të Shtegtimeve me Komunën - është i përgjithshëm. Për informim do të funksionojnë qendra telefonie me numër 060608, një faqe e posaçme interneti në Portalin Roma Capitale (Roma Kryeqytet) e, sidomos, 35 pika mikpritjeje, të shpërndara në të gjithë territorin, në mënyrë që, qysh nga çasti i arritjes e deri në çastin e lamtumirës, besimtarë e turistë ta ndjejnë se janë të mirëpritur, të rrethuar nga një atmosferë pozitive, por edhe e thjeshtë. Do të jetë atmosferë e shenjtërisë së një njeriu tejet të madh e, njëkohësisht, simbol i thjeshtësisë. Kështu e shpjegon atmosferën e pritjes së shtegtarëve, kryetari i bashkisë së Romës, Gianni Alemanno:
Pikërisht që të vihet në dukje me forcë të veçantë vlera njerëzore e shpirtërore e kësaj ngjarjeje të madhe, nga pikëpamja materiale duhen ulur tonet. Thjeshtësi, pra, përkorje, kursime e shërbim vullnetar. Vullnetarët do të jenë protagonistët kryesorë të këtyre ditëve: do të jenë së bashku vullnetarët e Romës, rreth 3.500 vetë, me vullnetarët e Veprës Romake të Shtegtimeve e vullnetarët e Unitalsit. Do të jenë të pranishëm në të katër anët e Romës, për të pritur e për të drejtuar shtegtarët”.
Përkrah vullnetarëve, do të jetë edhe shërbimi i përforcuar i emergjencës, me rreth 200 pika shërbimi e 7 zona të ndihmës së shpejtë. Shërbimi i pastrimit të qytetit do të jetë në gatishmëri gjatë 24 orëve ndërsa, për të lehtësuar lëvizjen, në dispozicion të shtegtarëve do të vihen 150 mjete publike më shumë se zakonisht. Mjetet e transportit do të lëvizin ditë-natë në drejtime të ndryshme, duke krijuar lidhje të rregullta e të vazhdueshme aeroport–qytet. Gjatë tri ditëve të festës, shtegtarët do të kenë në dispozicion 5.046 vende autobusi. Por – siç theksojnë, me të drejtë, organizatorët, suksesi i shërbimeve nuk duhet parë i shkëputur nga karakteri shpirtëror i ngjarjes së madhe, që është edhe kryesori. Këtë e theksoi kardinali Agostino Valini:
“Lumnimi i Gjon Palit II është ngjarje e madhe shpirtërore; ai ishte dëshmitar modern i Ungjillit. Gjon Pali II pohoi, shkroi e mësoi se kush dëshiron të jetë njeri i vërtetë, mund ta realizojë këtë dëshirë, vetëm përmes besimit në Krishtin e vdekur e të ringjallur. Ai vetë e jetoi dhe e dëshmoi këtë të vërtetë, e ky është edhe mesazhi i madh, ose mund të themi, edhe ushqimi i madh, për të cilin ka aq shumë nevojë njerëzimi. Prej këndej, lumnimi i tij është vërtet rast për ta falënderuar Zotin, që ia dhuroi këtë dëshmitar të madh të fesë, Kishës e botës. Por edhe për të medituar, për të reflektuar e për ta shikuar si model, që duhet imituar".
Kardinali kujtoi edhe tri etapat fetare të programit: mbrëmësoren e lutjeve të së shtunës, 30 prill, në Circo Massimo, për t’u lutur me Gjon Palin II, duke përshkuar të pesë kontinentet, në trojet e të cilave shkeli gjatë shtegtimeve të tij; kremtimi i Lumnimit, të dielën, me nderimin e relikeve, që do të pasohet nga Mesha Shenjte e falënderimit, më 2 maj. Por Gjon Pali II, kujtoi kardinali, përveçse njeri, që i përkiste botës, ishte edhe njeri që i përkiste Romës, ishte ipeshkvi i Romës, i dashur e i lidhur thellësisht me Qytetin. E jo vetëm me katolikët, por me gjithë shoqërinë laike e jo katolike, që e popullon. Ky aspekt do të jetë zemra e koncertit të 2 majit, në Sheshin e Kapitolit, pasuruar edhe me dëshmitë e Rabinit Toaf; sekretarit privat të Gjon Palit II, kardinalit Dgjivish dhe zëdhënësit të asokohshëm të Sallës vatikanase të Shtypit, Navarro-Valls.
Ndërsa dy ekspozita fotografike do të pasqyrojnë aspekte të ndryshme nga jeta e të Lumit të ri: e para, që do të hapet në sheshin romak Repubblica, titullohet “Karoli, Papa i popujve”; e dyta, në Muzetë Kapitoline, “Në elterin e Zotit”. Por të dëgjojmë edhe këshilltarin e Bashkisë për kulturën, Dino Gasperini:
“Do të jetë festë e madhe, në të cilën do të dialogojnë shprehje të ndryshme artistike, në gjirin e manifestimeve të ndryshme. Papa nuk ishte vetëm artist. Në radhë të parë ishte papa i parë, që u mat me mediat; papa i parë, që u duk në internet; papa i parë, që foli nga pjesa tjetër e botës, duke përdorur kanalet e komunikimit, i pari që na e la edhe perëndimin e jetës, të shprehur me gjuhën e artit. Besoj se është e drejtë të nderohet sa më mirë, duke pasur parasysh kush ishte e çfarë bëri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.