2011-04-13 16:12:02

Në Libi, Misrata ka mbetur pa ujë e pa ushqim. Grupi i Kontaktit mblidhet në Doha


(13.04.2011 RV)Dëshmitë e emigrantëve të parë, që nga Libia kanë mbërritur në Maltë, janë të tmerrshme. “Gedafi dëshiron të na zhdukë, trupat e tij na bombardojnë vazhdimisht, bombardojnë depot e ujit dhe magazinat me ushqime”: kështu deklaron një libiano-amerikane, që arriti të ikë nga Misrata, së bashku me të bijën 3-vjeçare dhe me të shoqin. Sipas saj, gjendja është jashtëzakonisht e keqe, por nëse bie Misrata, koloneli do të marrshojë lehtësisht drejt Bengazit, kështjella e kryengritësve. Këta të fundit deklarojnë se, që nga fillimi i konfliktit në Libi, janë vrarë mëse 10 mijë vetë. Ndërkaq, sot në Bengazi mbërriti një avion francez me ndihma humanitare, sidomos me ilaçe. Gjithashtu, Komisioni Evropian zyrtarizoi vendimin për dhënien e 10 milion eurove, si ndihmë për të huajt, që largohen nga Libia.
Në planin diplomatik, Grupi i Kontaktit për Libinë u mblodh në Doha të Katarit, vend që mban presidencën së bashku me Britaninë e Madhe. Të pranishëm, rreth 20 ministra të jashtëm e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun denoncoi se 3,6 milion libianë kanë nevojë për ndihmë. Kërkesë, e cila u konfirmua edhe nga anëtarët e Këshillit të Tranzicionit, të cilët theksuan se nuk janë në Dohë për të kërkuar armë, por ndihma ekonomike. Vetë prania e opozitorëve të Gedafit në konferencën e Grupit të Kontaktit, ishte e rëndësishme për njohjen e tyre ndërkombëtare. Ekziston hipoteza e krijimit të një fondi ndërkombëtar me bazë pasuritë, që i janë bllokuar kolonelit libian.







All the contents on this site are copyrighted ©.