2011-04-13 16:11:26

Kishat e krishtera të Libisë i shkruajnë OKB-së: të ndalet gjakderdhja


(13.04.2011 RV)“Dhuna dhe gjakderdhja duhet të ndalen menjëherë, sepse lufta nuk është zgjidhja e problemeve”: këtë kërkon deklarata e Këshillit Ekumenik të Kishave të Tripolit, që iu dorëzua sot Zyrës lokale të OKB-së. Dokumenti, i shkruar në arabisht e në anglisht, është publikuar nga agjensia e Vatikanit “Fides”. Një nga nënshkruesit, vikari apostolik i Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli.
“Si bashkësi besimtarësh –lexohet në tekst – jemi tejet të trishtuar nga ngjarjet e fundit tragjike, që po përçajnë vendin me anë të vuajtjeve, të frikës e të ankthit të popullit të vet, të cilit dëshirojmë t’i shprehim solidaritetin tonë”. Kishat e krishtera kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm e pa kushte nga të gjitha palët dhe asistencë humanitare për viktimat. “Dialogu dhe pajtimi – theksohet në deklaratë – duhet të jenë rruga kryesore për të gjetur një zgjidhje miqësore e për të sjellë paqen”. Të krishterët mbështesin çdo përpjekje të këshillave të pleqve të vendit, të cilët njohin me themel ndjenjat dhe aspiratat e vërteta të popullit libian. Përkrahin gjithashtu, ato nisma të organizatave ndërkombëtare, që kanë për qëllim krijimin e një atmosfere besimi për gjetjen e zgjidhjes paqësore. “Do të vazhdojmë të lutemi, në solidaritet me të gjithë myslimanët libianë, që luftojnë për paqen e drejtësinë, në këtë çast të vështirë të historisë së vendit”, përfundon teksti, i cili u është dorëzuar përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.