2011-04-12 14:50:26

Papa Gjon Pali II: festa e tij liturgjike do të kremtohet më 22 tetor në Romë e në Poloni


(12.04.2011 RV)“Dekretohet që në kalendarin e dioqezës së Romës e të dioqezave të Polonisë, kremtimi liturgjik i të Lumit Gjon Pali II, Papë, të caktohet më 22 tetor e të kremtohet çdo vit si përkujtim”. Kështu shkruhet në dekretin e Kongregatës së Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, i cili përmban një sërë normash për kultin litugjik të Karol Vojtilës, që do të shpallet i Lum më 1 maj.
22 tetori është data e fillimit të papnisë së Gjon Palit II. Dekreti nënshkruhet nga prefekti i dikasterit vatikanas, kardinali Antonio Kanjizares Lovera. “Përsa u përket kalendarëve të tjerë – shkruhet në të – kërkesa për regjistrimin e përkujtimit fakoltativ të të Lumit Gjon Pali II mund t’i paraqitet kësaj Kongregate nga Konferencat Ipeshkvnore për territorin, nga Ipeshkvi dioqezan për dioqezën e vet, nga Eprori i Përgjithshëm për familjen e tij rregulltare”.
“Dekretohet që në harkun kohor të vitit pas lumnimit të Gjon Palit II – vazhdon më tej dekreti – pra deri më 1 maj 2012, të bëhet e mundur kremtimi i një meshe falenderimi në vendet e në ditët e rëndësishme. Përgjegjësia për caktimin e ditës ose të ditëve, si edhe të vendit ose të vendeve, ku do të mblidhet populli i Zotit, i përket ipeshkvit dioqezan për dioqezën e vet”. “Duke pasur parasysh kërkesat lokale dhe ato baritore – pohohet më pas – jepet leja që të kremtohet një meshë shenjte për nder të të Lumit të ri në një të dielë gjatë vitit, si edhe në një ditë, që përfshihet ndërmjet numrave 10-13 të Tabelës së ditëve liturgjike”.
Dekreti mbi kultin e Gjon Palit II përfshin mundësinë që Papës t’i kushtohen edhe kisha. Gjithashtu, nuk do të jetë i nevojshëm autorizimi i veçantë i Vatikanit për ato dioqeza, të cilat e kanë caktuar që më parë datën e 22 tetorit, si festë liturgjike në përkujtim të Karol Vojtilës.







All the contents on this site are copyrighted ©.