(12.04.2011 RV)Përpjekjet për të arritur armëpushimin në Libi janë akoma të
pamjaftueshme, pas refuzimit të kryengritësve për të nënshkruar një marrëveshje me
liderin libian, Muhamar Gedafi. Ky i fundit vazhdon bomardimet, sidomos në Ajxhabija.
Organizata “Amnesty International” i ka quajtur vrasjet e civilëve nga forcat qeveritare
“krime kundër njerëzimit”. Ndërkaq, debati në arenën ndërkombëtar përqendrohet
në rolin e NATO-s. Sot, diskutuan për këtë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian,
të mbledhur në Luksemburg; nesër do të mblidhet Grupi i Kontaktit për Libinë në Doha
të Katarit e; të enjten, ministrat e Paktit të Atlantikut në Berlin. Përveç rebelëve
libianë, edhe qeveria franceze u kërkon forcave të NATO-s të jenë më aktive, për të
penguar ushtrinë e Gedafit të përdorë armatimin e rëndë kundër popullsisë civile.
Deklarata të ngjashme janë bërë edhe nga Londra, ndërsa në Romë, ministri i jashtëm
u takua me kreun e Këshillit të Tranzicionit, me seli në Bengazi. Italisë iu kërkua
të ndërhyjë për njohjen e kryengritësve dhe për dërgimin e ndihmave humanitare, sidomos
në Misratë, ku gjendja është tejet e vështirë.