2011-04-12 15:49:29

Ipeshkvijtë gjermanë bëjnë të ditur etapat kryesore të udhëtimit të Benediktit XVI në Gjermani


(12.04.2011 RV)Një vizitë, jo vetëm për katolikët: me këto fjalë e quan udhëtimin e Papës Benedikti XVI në Gjermani, nga data 22 deri më 25 shtator, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, imzot Robert Xolliç. Kisha vendore njoftoi datat dhe etapat kryesore të kësaj vizite baritore, me anë të një komunikate për shtyp.
Karakteri i vizitës do të jetë “ekumenik”, në veçanti, kur Ati i Shenjtë do të qëndrojë në Erfurt, qytet ku Martin Luteri, nismëtari i Reformës protestante, ishte akoma katolik e agustinian. Programi i udhëtimit, i treti në Gjermani, parashikon vizitën në tri qytete: Berlin, Erfurt dhe Fraiburg, me kremtime të rëndësishme liturgjike në tri dioqezat përkatëse. Që nga data e sotme, funksionon faqja e internetit për udhëtimin e Papës në shtator (“papst-in-deutschland.de”), ku mund të gjenden informacione dhe të bëhen prenotime për të marrë pjesë në kremtimet eukaristike të kryesuara nga Benedikti XVI.
Në pritje të programit zyrtar, që zakonisht bëhet i ditur nga Salla e Shtypit e Vatikanit, ipeshkvijtë gjermanë paralajmërojnë ngjarjet kryesore të udhëtimit. Mbërritja e Papës në aeroportin e Berlinit parashikohet të enjten, 22 shtator, në orën 10.30. E para e tri meshëve papnore do të kremtohet para kështjellës së Sharlotenburgut. Të nesërmen, Ati i Shenjtë do të shkojë në Erfurt, ku ngjarja kryesore do të jetë biseda me evangjelistët gjermanë në kuvendin agustinian të qytetit. Pasdite, Benedikti XVI do të thotë Lutjen Mbrëmësore në shenjtëroren e Etcelsbahut në dioqezën e Aihsfeldit. Të shtunën, më 24 shtator, Papa do të kremtojë meshën në tremen e duomos së Erfurtit. Pasditen e asaj dite, Jozef Racinger do të zhvendoset për në Fraiburg, ku do të takohet me përfaqësues të Kishës Ortodokse e do të marrë pjesë në Mbrëmjen e lutjes me të rinjtë. Të dielën, më 25 shtator, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në aeroportin e Fraiburgut, ndërsa pasdite do të mbajë një fjalim në Sallën e Koncerteve të qytetit, për t’u nisur për Romë në mbrëmje.
Programi i vizitës, shpjegojnë ipeshkvijtë gjermanë, parashikon edhe takime të Benediktit XVI me përfaqësues të Këshillit të Hebrenjve, me delegatë të Islamit e me anëtarë të Komitetit qendror të katolikëve gjermanë. Po ashtu, Papa do të bisedojë me autoritetet shtetërore, ndër të cilët kancelarja Angela Merkel.







All the contents on this site are copyrighted ©.