Tërmet tjetër në Japoni: 7,1 ballë, shoqëruar me alarm tsunami
(11.04.2011 RV)Një tërmet tjetër i fortë, prej 7,1 ballësh të shkallës Rihter,
goditi sot bregun verilindor të Japonisë, një muaj pas atij prej 9 ballësh, shoqëruar
me tsunami, i cili shkaktoi 27 mijë viktima. Epiqendra e lëkundjeve të sotme ndodhet
gjithnjë në prefekturën e Fukushimës, 81 km larg centralit bërthamor, ku shkaktoi
ndërprerjen e energjisë elektrike në tri reaktorët e parë. Edhe kësaj radhe u dha
alarm për tsunami, por më pas u tërhoq. Lidhja elektrike u ndreq shpejt, duke mundësuar
injektimin e ujit ftohës për reaktorët. Qeveria vendosi ta zgjerojë zonën rreth Fukushimës,
nga e cila do të largohet popullsia.