2011-04-11 17:09:54

Papa ambasadorit kroat: është në modë harresa e rrënjëve të krishtera të Evropës.


(11.04.2011 RV)Vlerësimi i trashëgimisë së krishterë të Evropës, ishte në qendër të vëmendjes, në fjalimin e Benediktit XVI drejtuar ambasadorit të Kroacisë, Filip Vuçak, të cilin e priti sot paradite në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. Papa vuri theksin mbi një temë, që konsiderohet e modës: mbi një farë humbjeje kolektive të kujtesës, me prirje për ta harruar vlerën e rrënjëve të krishtera të Kontinetit të Vjetër. Më pas, shprehu kënaqësinë për vizitën, që do të bëjë së shpejti në trojet kroate, programuar për qershorin e ardhshëm.
Ç’mund t’i japë Kroacia Evropës së sotme? Në çastin kur, 20 vjet pas pavarësisë, vendi shpejton hapin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Papa i inkurajoi kroatët të mos heqin dorë nga kultura e tyre e nga jeta e tyre fetare: Do të ishte e kotë, pohoi, të mohosh identitetin tënd, për ta zëvendësuar me një tjetër, të lindur në rrethana krejt të ndryshme, në krahasim me ato, në të cilat zu fill e u rrit Kroacia. Duke hyrë në Bashkimin Evropian, vijoi Papa, vendi juaj nuk do të hyjë vetëm në një sistem të ri ekonomik e juridik, me të mirat e kufizimet e veta. Mund e duhet të hyjë në Evropë, duke mbartur ndihmesën e vet, pasurinë e vet kombëtare, që u shtohet pasurive të larmishme të Kontinentit. Papa e ftoi Kroacinë ta mbrojë pa frikë e me vendosmëri, historinë dhe identitetin e vet fetar e kulturor, duke kërkuar që ky identitet t’i respektohet edhe në gjirin e Kontinetit të Vjetër. E ftoi edhe të mbajë qëndrim kritik përballë zërave, që vijojnë t’i kundërvihen, me këmbëngulje të habitshme, së vërtetës historike mbi rrënjët e krishtera të Evropës.
“Është në modë, vërejti Ati i Shenjtë, t’i harrosh e t’i mohosh të vërtetat historike”. E shtoi “të pohosh se Evropa nuk ka rrënjë të krishtera, është njëlloj si të pretendosh që njeriu të rrojë pa oksigjen e pa ushqim”. Prandaj, porosit Benedikti XVI, rrënjët e krishtera të Evropës duhen mbrojtur pa turp e pa frikë, sepse kjo është e vërteta historike. E, nuk duhet harruar se, po të jetë nevoja, e vërteta duhet mbrojtur edhe duke iu kundërvënë haptas çdo force, që e mohon. Papa shprehu besimin se Kroacia do të dijë ta mbrojë identitetin e vet, me bindje e krenari, duke i kapërcyer të gjitha pengesat, që mund t’i dalin para e që, me pretekstin e lirisë fetare të keqkuptuar, i kundërvihen së drejtës natyrore, familjes e moralit.

Më pas Papa vlerësoi rolin e Kroacisë për mbrojtjen e paqes në zonë, duke kujtuar sidomos Bosnjë-Hercegovinën. Kroacia, vërejti Ati i Shenjtë, ka qenë gjithnjë e gatshme të japë kontributin e saj të veçantë për të sheshuar rrugën e dialogut e të mirëkuptimit ndërmjet popujve. Prej këndej, inkurajimi për të vijuar ecjen në këtë rrugë, e cila çon në fuqizimin e paqes e të respektit për të gjithë. Më pas Shenjtëria e Tij kujtoi se në qershorin e ardhshëm do të shkelë në trojet kroate. E kjo është vizita e parë e një pape në këto troje, pa harruar se nuk është e para për Jozefin Racinger, që e njeh mirë tokën kroate, të cilën, kur ishte kardinal, e pati vizituar disa herë. Duke folur për këtë shtegtim të dëshiruar prej kohe, Benedikti XVI u ndal posaçërisht tek tema e tij: “Së bashku, me Krishtin!”.
Është pikërisht kjo “së bashku”, që dua të kremtoj me popullin tuaj, pohoi Papa. Së bashku, shtoi, pavarësisht nga ndryshimet e ndjeshme e duke i përfshirë këto ndryshme. E, sidomos, së bashku me Krishtin, i cili prej shekujsh i prin popullit kroat plot mirësi e mëshirë.
Ati i Shenjtë i shprehu mirënjohjen e tij të thellë Parlamentit të Kroacisë, për shpalljen e vitit 2011 “Vit i Boshkoviç” për nder të shkencëtarit e filozofit jezuit, që dëshmoi mundësinë e harmonisë ndërmjet shkencave e fesë, shërbimit ndaj atdheut e impenjimit në Kishë.







All the contents on this site are copyrighted ©.