2011-04-11 18:01:00

Në Kinë shugurohet ipeshkvi i Jiangmenit


Në kishën katedrale të Zemrës së Zojës në Jiangmen të Kinës, u shugurua për ipeshkëv, më 30 mars, imzot Paolo Liang Jiansen, 46 vjeçar, meshtar që prej 19 vjetësh. Shugurimi është miratuar si nga Selia e Shenjtë, ashtu edhe nga autoritetet. Kujtojmë se në Kinë ekziston edhe e ashtuquajtura Kishë patriotike, që nuk njihet nga Vatikani, por që mbështetet nga qeveria komuniste e Pekinit.
Në dioqezën e Jiangmenit shërbejnë aktualisht rreth dhjetë meshtarë e tridhjetë murgesha. 20 mijë besimtarët bëjnë pjesë në 20 famulli. Dioqeza ka një vend të veçantë në historinë kishtare të Kinës. Në ishullin Shangçuan, që sot bën pjesë në të, vdiq në vitin 1552, shën Françesk Saveri. Shenjtërorja e ngritur në kujtim të misionarit jezuit është gjithnjë plot me shtegtarë. Gjithashtu, në veri të dioqezës, ndodhet qyteti i Zhaoqingut, ku atë Mateo Riçi kaloi tri vjet, ndërtoi një kishë dhe përgatiti misionin e tij të mëvonshëm në kontinentin aziatik.







All the contents on this site are copyrighted ©.