2011-04-11 15:17:35

Mubarak i akuzuar për korrupsion dhe dhunë. Imzot Fitcxherald: Egjipti përjeton fazë pasigurie


(11.04.2011 RV)Pas mesazhit të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, me të cilin ai e shpall veten të pafajshëm, deklaron se nuk ka llogari bankare jashtë shtetit e se nuk është pasuruar gjatë viteve të pushtetit të tij, qindra vetë mbushën sërish sheshin Tahrir në Kajro, në shenjë proteste. Manifestime janë zhvilluar edhe ditëve të kaluara, për të kërkuar largimin e funksionarëve të korruptuar nga postet, ku i ka vendosur ish-presidenti, Mubarak. Në ndeshjet me ushtrinë, ka pasur një viktimë e dhjetra të plagosur. Gjithsesi, qeveria egjiptiane lajmëroi se do t’i plotësojë kërkesat e protestuesve. Vërtet, do të krijohet një komision i veçantë hetimor për ish-presidentin Mubarak dhe bijtë e tij, të akuzuar për korrupsion dhe për shtypjen me dhunë të popullsisë civile gjatë revoltave, që e detyruan të largohet nga pushteti dy muaj më parë, më 11 shkurt. Gjithashtu, ushtarakët në fuqi urdhëruan heqjen e katër guvernatorëve të regjimit të vjetër. Mbi gjendjen në Egjipt, të dëgjojmë nuncin apostolik në vend, imzot Majkëll Fitcxherald:

Jemi në një fazë tranzicioni, në një fazë pasigurie, por ka shpresa të mëdha e njëkohësisht, edhe shqetësime. Partitë politike po përgatiten për zgjedhjet e shtatorit të ardhshëm. Sigurisht partia e “Vëllezërve Myslimanë” është më e organizuara. Partia Demokratike Kombëtare i ka humbur krerët e nuk e di si do të paraqitet e nëse do të paraqitet në zgjedhje. Po organizohen edhe parti të tjera, ku të krishterë e myslimanë punojnë së bashku.

Cili është roli i të krishterëve, në veçanti, ai i katolikëve, në këtë fazë delikate politike?

Është shumë pozitiv fakti, që të rinjtë e krishterë, sidomos të rinjtë katolikë, po përpiqen t’i kuptojnë problemet e shoqërisë së sotme, të kuptojnë se ku na çon ndryshimi i Kushtetutës. Këto probleme studiohen me ndihmën e ekspertëve, të cilët thirren për të marrë pjesë në takime të ndryshme. Përsa i përket zgjedhjeve, duhet të themi se “Vëllezërit Myslimanë” nuk janë të vetmit në frontin islamik, ka edhe grupe të tjera. Ekziston pra, një farë fragmentimi, që ndoshta mund t’u krijojë më tepër mundësi liberalëve, të krishterë e myslimanë, të fitojnë vende në parlament.

A ka rrezik që revolucioni të kalojë në duart e fondamentalizmit islamik?

Sigurisht, disa nga myslimanët kanë propaganduar se vendi rrezikon ta humbasë karakterin e tij islamik. Jemi në një fazë tranzicioni, në të cilën është Këshilli i Lartë i Forcave të Armatosura, ai që e drejton vendin. Shpresojmë që kjo fazë të mos zgjatet shumë e Egjipti të fillojë shpejt ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.