2011-04-11 15:27:32

Ipeshkvi i Tripolit: të mërkurën, dokument i përbashkët i feve për OKB-në


(11.04.2011 RV)Bashkësitë fetare të Libisë po përgatisin një dokument të përbashkët, ku kërkohet fundi i dhunës në vend. Ai do t’i dorëzohet të mërkurën OKB-së, sipas deklaratës së vikarit apostolik të Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli, për agjensinë vatikanse Fides.
“Kishat e krishtera në Libi – deklaron imzot Martineli – duan të mbështesin ndërmjetësimin e Bashkimit Afrikan”. Vikari apostolik sqaron se sapo ka marrë pjesë në një takim të Shoqatës Botërore Islamike, ku bëjnë pjesë 250 organizata. Bashkësitë e krishtera të Tripolit, të pranishme në mbledhje, shprehën dëshirën të hartojnë një komunikatë të përbashkët me myslimanët për të kërkuar fundin e krizës libiane.
Ndërkaq, diplomacia ndërkombëtare është në punë për të ndalur luftën civile në Libi. Dje, Muhamar Gedafi pranoi planin e Bashkimit Afrikan për armëpushimin e menjëhershëm, që parashikon edhe fundin e bombardimeve të NATO-s, por sekretari i Paktit të Atlantikut, Rasmusen paralajmëroi se më parë duhet verifikuar respektimi i armëpushimit. Një delegacion i Bashkimit Afrikan shkoi edhe në Bengazi, të flasë me rebelët, të cilët kërkojnë largimin përfundimtar të Gedafit e të familjes së tij nga pushteti. Propozimi i Bashkimit kërkon armëpushimin e menjëhershëm, nxitjen e dialogut kombëtar, mbrojtjen e të huajve të pranishëm në Libi dhe furnizimin me ndihma humanitare.
Pavarësisht nga deklaratat, koloneli vazhdon të bombardojë Misratën, ku sipas UNICEF-it, janë vrarë edhe fëmijë të porsalindur. Gjatë 20 ditëve të fundit kanë gjetur vdekjen së paku 20 foshnja, nën moshën 9 muajshe e shumë fëmijë të tjerë nën 10 vjeç. Në këtë gjendje, a mund të ketë sukses ndërmjetësimi i Bashkimit Afrikan? I kërkuam një mendim pedagogut italian Antonio Papiska, në krye të katedrës së UNESCO-s për të drejtat e njeriut, për demokracinë e paqen, pranë Universitetit të Padovës:
Duhet ta lemë mënjanë skemën e lojës, ku shuma është zero: domethënë, fitorja s’mund të jetë e gjitha nga njëra anë e humbja, e gjitha nga ana tjetër. Kemi një ofertë ndërmjetësimi e çdo lloj hapësire për paqen duhet shfrytëzuar. Unë do të thosha se në këtë çast, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i marrë seriozisht propozimet e njërit prej institucioneve kompetente për zonën – që janë Bashkimi Afrikan dhe Lidhja Arabe – e mbi këtë bazë, të imagjinojë hapa të tjera.
Cilat janë këto hapa të tjera sipas jush, duke pasur parasysh rezolutën e OKB-së…
Rezoluta 1973 e përjashton mundësinë që ndërhyrja të shndërrohet në forma pushtimi territorial, por nuk ia mbyll dyert ndërhyrjes tokësore. Natyrisht forcat tokësore duhet të kenë mandat të caktuar e duhet të marrin parasysh vullnetin e Tripolit për zgjidhje diplomatike. Kusht “sine qua non” është mospërdorimi i armëve nga ana e Gedafit.
Por kjo mund të çojë edhe në ndarjen e Libisë…
Po, natyrisht, kjo është një hipotezë e mundshme, por në këtë çast, bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë si objektiv ndalimin e dhunës nga njëra e nga tjetra palë. Për të shmangur gangrenizimin e situatës, bashkësia ndërkombëtare duhet të interesohet për çështjen libiane, në kuadrin e ndryshimeve strukturore, që po ndodhin në të gjithë zonën. Bota duhet të jetë e pranishme e të gjejë mjetet për të favorizuar forcat lokale, që punojnë për lirinë, demokracinë, për të drejtat e njeriut e shtetin ligjor. Është politika, që duhet ta marrë iniciativën.








All the contents on this site are copyrighted ©.