2011-04-11 17:10:47

Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot: vdekja shpirtërore, mëkati, rrezikon ta shkatërrojë jetën e çdo njeriu.


(11.04.2011 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot dje në Vatikan, Benedikti XVI kujtoi se leximet biblike të kësaj jave të 5-të të krehzmëve i kushtohen të gjitha ringjalljes: nuk flasin ende për ringjalljen e Jezusit, që do të hyjë në historinë e shëlbimit si e re absolute, por për ringjalljen tonë, atë që e dëshirojmë aq shumë e që na e dhuroi pikërisht Krishti, duke u ngjallur prej së vdekurish.
Papa Racinger, vetëm dy javë para Pashkëve, u ndalua tek kuptimi i krishterë i vdekjes, e cila është si një mur, që na pengon të shikojmë përtej. E megjithatë zemra jonë – pohoi Papa – e kapërcen murin e, ndonëse nuk mund ta njohim plotësisht atë, që na e fsheh, gjithsesi e mendojmë, e përfytyrojmë, duke e shprehur me simbole dëshirën tonë për amshimin. Pasi shpjegoi shkurtimisht Ungjillin e djeshëm, që fliste për ringjalljen e Lazrit, Ati i Shenjtë kujtoi se ideja e ringjalljes personale duket vetëm aty nga fundi i Besëlidhjes së Vjetër, e se në kohën e Jezusit kishte shumë judenj, që nuk e pranonin:
“Por edhe ndërmjet të krishterëve, besimi në ringjalljen e në jetën e amshuar, shoqërohet shpesh me dyshime e konfuzion. E kjo, sepse është fjala për një realitet, i cili i kapërcen kufijtë e arsyes sonë. Ky realitet mund të pranohet vetëm me arsyen e fesë”.
Dyshimeve e kufizimeve u kundërvihet një risi e vërtetë, shpjegoi Papa, që shkatërron e kapërcen çdo pengesë:
“Krishti e shemb murin e vdekjes; në Të banon përkryerja e Hyjit, që është jetë, jetë e pasosur. Prandaj vdekja nuk pati pushtet mbi Të, e ringjallja e Lazrit është shenjë e qartë, që na bind për sundimin e Tij të plotë mbi vdekjen fizike, e cila, para syve të Hyjit, s’është tjetër, veçse një sy gjum (cfr Gjon 11,11)”.
Por ka edhe një vdekje tjetër, shpjegoi Benedikti XVI, të cilën Krishti e luftoi me të gjitha forcat, duke e paguar fitoren tepër shtrenjt, me çmimin e Kryqit:
“Është vdekja shpirtërore, mëkati, që rrezikon ta shkatërrojë jetën e çdo njeriu. E Krishti vdiq pikërisht për të fituar mbi këtë vdekje. Ringjallja e Tij nuk është kthim në jetën e mëparshme, por hapje e një realiteti të ri, një tokë e re; është, më në fund, mbërritje në Qiellin e Zotit”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i drejtoi një përshëndetje të posaçme punëtorëve të minierës sarde të Portovesme-s, që jetojnë në kushte të vështira pune e, në vijim, duke u folur shtegtarëve polakë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi përvjetorin e katastrofës ajrore të Smolenskut, në Rusi, gjatë së cilës humbën jetën presidenti polak, Leh Kaçinskij dhe personalitete të tjera të Polonisë. “Krishti, ringjallja jonë, tha Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, i pranoftë në lumninë e tij e ju ngushëlloftë në këto çaste, kur rikujtoni një ngjarje kaq të dhimbshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.