Benedikti XVI, pas ndjekjes së një dokumentari kushtuar Gjon Palit II: Papa Vojtila,
Apostull i madh i Krishtit.
(11.04.2011 RV)Të shtunën e kaluar Benedikti XVI ishte i pranishëm në projektimin
e një dokumentari, kushtuar jetës së Papës Gjon Pali II. Dokumentari, me titull “Shtegtari
i veshur me të bardha”, që u shfaq në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, është realizuar
nga regjisori polak Jaroslav Szmidt. Në përfundim të projektimit, Ati i Shenjtë e
vlerësoi lart regjisorin për punën e lavdërueshme, me frymë thellësisht krijuese.
Duke
kujtuar se tashmë çdo ditë e re shënon një vepër të re kushtuar Gjon Palit II, Benedikti
XVI vërejti se për seriozitetin me të cilin është punuar e për cilësitë e tij artistike,
filmi “Shtegtari i veshur me të bardha”, mund të konsiderohet një nga kontributet
më me vlerë, që i ofrohet publikut me rastin e lumnimit të afërt të Papës Vojtila. Ky
film dallohet për shumë elemente, si për shembull, për intervistat me bashkëpunëtorët
më të ngushtë, për dëshmitë e personaliteteve të shquara, për pasurinë e dokumentimit.
E të gjitha këto elemente, marrë së bashku, kanë për qëllim të pasqyrojnë besnikërisht
si personalitetin e Papës, ashtu edhe veprimtarinë e tij të palodhshme gjatë një papnie,
që radhitet ndërmjet më të gjatave.
Duke nënvizuar dëshminë e ndritshme të
Gjon Palit II, Benedikti XVI kujtoi, më pas, dy bazat kryesore të jetës e të papnisë
së Karol Vojtilës: lutjen e zellin misionar. “Gjon pali II ishte kundrues i madh
e apostull i madh i Krishtit. Zoti e zgjodhi për Selinë e Shën Pjetrit dhe e ruajti
për një kohë të gjatë, që ta udhëhiqte Kishën në mijëvjeçarin e tretë. Me shembullin
e tij, ai na priu të gjithëve në këtë shtegtim e tani vijon të na shoqërojë nga Qielli.