2011-04-09 13:30:23

Sipas gazetës “Avvenire”, Evropa nuk ka politikë mbi emigracionin


Tragjedia e javës së kaluar në detin e Lampeduzës, ku u mbytën mëse 250 vetë dhe shpëtuan pak më shumë se 50, tronditi krejt Italinë, e cila prej ditësh po përballet me flukset e emigrantëve nga Tunizia e nga Libia, që zbarkojnë në ishullin jugor italian. Jo pak gazetarë, e krahasuan këtë tragjedi me atë të shqiptarëve në Otranto, më 28 mars 1997, përvjetorin e së cilës, sapo e përkujtuam.
Qeveria e Romës nënshkroi një marrëveshje me rajone të ndryshme të Italisë, për shpërndarjen e emigrantëve në zona të tjera, pasi e kapërcenin numrin e banorëve të Lampeduzës; u dha atyre një leje qëndrimi të përkohshme e i kërkoi Evropës - sidomos Francës, ku shumica e tunizianëve duan të shkojnë - të marrë përsipër përgjegjësitë e veta. Reagimi i Francës qe ashpërsimi i rregullave për hyrjen në kufijtë e saj, ndërsa Brukseli nuk ndihet.
Këtë gjendje vë në dukje gazeta e Kishës Italiane “Avvenire”, në një editorial të së premtes. “Bashkimi Evropian – shkruhet – nuk ka politikë mbi emigracionin, megjithëse çështja ka përmasa pikërisht kontinentale… Emigrantët vijnë në Evropë nga jugu (e në vijën e parë të frontit janë Italia, Greqia e Malta), por edhe nga lindja. Duke mos pasur strategji Bashkimi Evropian, edhe shtetet anëtare nuk kanë asnjë, të denjë për atë emër. Italia ia kishte ngarkuar administrimin e flukseve Gedafit, duke i paguar shtrenjtë shërbimet e tij. Po tani? – pyet me ironi të hidhur “Avvenire”. Greqia mendon të ndërtojë një mur në kufirin me Turqinë, pikërisht ndërsa në SHBA-të shihet qartë dështimi i politikës së murit, ndërtuar përgjatë kufirit me Meksikën. Malta, pak i pranon e pak i kthen mbrapsht emigrantët”.
Sipas gazetës së ipeshkvijve italianë, problemi “nuk është vetëm politik. Është edhe kulturor”. “Thjesht – shpjegon – refuzojmë realitetin. Në botën e vërtetë, jashtë retorikës politike, emigracioni është një fakt i pashmangshëm”. “Avvenire” këshillon të përmbyset perspektiva. Emigracioni “është i pashmangshëm: deri në një farë mase, i dobishëm, në ndonjë rast, i domosdoshëm. Vetëm duke e përballuar realitetin, mund të merren masa të drejta për ta mbajtur atë në kufi të pranueshëm, për ta administruar me humanitet e pa konfuzion, duke e bërë të frytshëm për vendet pritëse”.







All the contents on this site are copyrighted ©.