Me 10 mars, Kisha katolike kremton të Dielën e pestë dhe të fundit të kohës
së Krezhmëve, që paraprin e përgatit festën e Pashkëve. Po sot, kalendari kishtar
përkujton edhe shën Magdalenën e Kanosës, virgjër e themeluese e Bijve dhe të Bijave
të Dashurisë.
Nesër, e hënë, 11 prill, kalendari kishtar përkujton
Shenjtorët Stanislavi, ipeshkëv e martir i Krakovisë, Gualtieri e Antimi, martirë,
që dhanë për Jezusin dëshminë e gjakut, sepse ishin bërë një gjë e vetme me Të.
Të
martën që vjen, më 12 prill, do të përkujtohen shenjtorët Juli I, papë,
Zeno, ipeshkëv i Veronës, Jozef Moskati, mjek nga Napoli, që na kujtojnë se shpresa
e krishterë i kapërcen kufijtë e vdekjes.
Të mërkurën, më 13 prill,
përkujtohet shën Martini I, papë e martir, shën Ermenegjilda e shën Ida. Këta
shenjtorë na ftojnë të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin
Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë
nga Zoti.
Të enjten e ardhshme, më 14 prill, sipas kalendarit
kishtar, përkujtohen shën Tiburci, Valeriani e Maksimi, martirë. Këta na mësojnë se
ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij në çdo çast të jetës.
Të
premten,më 15 prill, do të përkujtohet shën Abondi, shën Damiani De Vuester,
shën Maroni, që na thonë se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve
gjithë vetveten me dashuri.
Të shtunën, më 16 prill, do të
përkujtohen shën Benedikti Jozef Labre, shën Maria Berndardeta Soubiroues, virgjër.
Në liturgjinë e festës së tyre Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat
tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.
Të dielën që vjen,
më 17 prill, do të kremtohet e Diela e Larit apo e Luleve dhe e Mundimeve të
Krishtit, me të cilën Kisha katolike fillon Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve.
Po më datën 17 prill, kalendari Kishtar përkujton edhe shën Simeonin, ipeshkëv
e martir, shën Robertin, abat. Këta shenjtorë na ftojnë të shkojmë me gëzim në shtëpinë
e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi,
dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Hyjit.