2011-04-08 19:03:31

Tërmet i ri në Japoni: katër viktima. Alarm bërthamor në Onagaua.


(08.04.2011 RV)Toka japoneze u lëkund sërish dje, në verilindje të vendit, nga një tërmet i fuqishëm 7.4 ballësh të shkallës Rihter, që u ndoq nga alarmi i tsunamit. Së paku katër vetë humbën jetën e mëse 140 u plagosën. Ndërkaq, frikës për dëme të tjera në centralin bërthamor të Fukushimës, iu shtua edhe ajo nga dalja e ujit radioaktiv prej një impianti tjetër. Është fjala për centralin e Onagauas, pavarësisht se autoritetet deklaruan se gjendja është nën kontroll.
Ndërkaq, në Evropë, Parlamenti i Strasburgut diskuton mbi përdorimin e energjisë bërthamore. Argumenti kryesor, gjatë ditës së djeshme, ka të bëjë me kontrollin e 148 centraleve ekzistuese në kontinentin e vjetër dhe me shtyrjen e zbatimit të politikave të reja mbi energjinë bërthamore. Mosmarrëveshja mbi periudhën e shtyrjes solli hedhjen poshtë të tekstit të rezolutës, me 300 vota kundër, 264 pro dhe 61 abstenime.







All the contents on this site are copyrighted ©.