2011-04-08 16:50:55

Një libër i ri kushtuar Gjon Palit II: “Shok Vojtila”.


(08.04.2011 RV)Të kalosh nga ndjenja, në histori, nga dashuria për Gjon Palin II, tek vetëdija se zgjedhja e tij në fronin e papnisë ia ndryshoi rrjedhën historisë, duke i kthyer përmbys marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është sfida e librit “Shok Vojtila; fillimi i papnisë”, shkruar nga Marko Impaliaco, botuar nga Shtëpia Botuese e Shën Palit. Kontributet e shumta, të mbledhura në vëllim, e marrin për dore lexuesin, duke e shoqëruar në një shtegtim të vërtetë rreth botës, ndërmjet shekullit XX e atij XXI, e duke i zbuluar para syve trashëgiminë që na la Gjon Pali II.

16 tetor 1978; pasdite vonë. Njoftimi “Habemus Papam”, pasohet nga emri i Karol Vojtilës. E papritura pasohet nga një çast heshtjeje e pastaj, nga stuhia e duartrokitjeve: pas një gjysëm mijëvjeçari, Ipeshkvi i Romës nuk është më italian, por i huaj, polak. Libri “Shok Vojtila” niset nga kjo e papritur, për të ndërtuar, pastaj, me gjuhë kinematografike, atë që ndodhte atë çast në pjesën tjetër të botës. Nga shpërthimi i gëzimit në Poloni, tek kënaqësia e kureshtja në Francë; shpresa në Gjermani; shqetësimi në Rusi e tërbimi në Shqipëri. Me një fjalë, një shok, nga lindja në perëndim, për një zgjedhje, që zinte vend të dorës së parë në ballafaqimin gjeopoltik të ‘900-tës, në klimën e ngrirë të Luftës së Ftohtë, e jo vetëm të saj. Por, ta dëgjojmë autorin, Marko Impaliaco, i cili në fillim kujton pse e titulloi këshut librin:

“Shock Wojtyla”, për shumë arsye. E para, sepse qe një papë që vinte nga Lindja komuniste, kur bota vijonte të ishte e ndarë në dy blloqe: prej këndej pyetja: ç’do të thoshte? Ç’do të bënte një Papë, që vinte nga komunizmi? Nga një Kishë, që luftonte kundër komunizmit? Shoku i dytë i madh ishte ai i të krishterëve e katolikëve perëndimorë, që në këtë epokë, ishin ligështuar edhe tepër, ishin në krizë; por menjëherë pas zgjedhjes, Papa u tha: “Mos kini frikë! Hapjani, madje në të dy kanatat, portat Krishtit”. Por “Shok Vojtila” edhe pse qe një Papë, që nisi të shtegtojë, e kjo qe risi e madhe; e pastaj, sepse Papa vuri në qendër njeriun dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare mbi problemin e vlerave, të jetës, të shpirtit të njerëzve”.
Ishte një zgjedhje, që i ktheu përmbys marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e detyroi botën politike të rikujtonte se Kisha është institucion i fuqishëm, i aftë për ta përtrirë botën e për të luajtur rolin e bashkëbiseduesit me lindjen, me perëndimin e me jugun e botës. E kjo vetëdije gjeti shprehjen e vet në fjalët, në gjestet, në dëshminë e pasardhësit të Pjetrit. Të dëgjojmë një kujtim nga kardinali Gjovani Batista Re, ish-prefekt i Kongregatës së Ipeshkvijve:
“Natyrisht, bota e admiroi për atë që bëri; e admiroi për shtegtimet, e admiroi për gjestet, e admiroi për atë aftësi që kishte për të depërtuar në realitet; kishte një realizëm të thellë, të ndriçuar nga feja. Burimi i gjithë këtij impenjimi ishte, mbi të gjitha, lutja”.
Figura e Papës Vojtila, pa kujtuar lavdatat me të cilat e shoqëroi në çdo hap njerëzimi, në librin e ri shikohet si risi e si mundësi për të kuptuar edhe skenat e sotme të krizës ekonomike, kulturore, politike e fetare, për të kuptuar botën, së cilës kalimi i tij i dha një ndihmesë vendimtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.