2011-04-08 16:52:58

Kombet e Bashkuara denoncojnë masakrat në Bregun e Fildishtë. Gjenden mbi 100 trupa të pajetë


Kombet e Bashkuara kanë denoncuar masakra të reja në Bregun e Fildishtë. Në 24 orët e fundit një kuadër e OKB-së ka zbuluar mbi 100 trupa të pajetë në tri lokalitete në pjesën perëndimore të Bregut të Fildishtë. Dhuna e vrasjjet duket se janë bërë, pjesërisht, për motive “etnike”, shpjegoi sot në Gjenevë Ruper Colvile, zëdhënës i komisariatit të Lartë të KB-së për të drejtat njerëzore.
Ky zbulim u bë një ditë pasi Alasane Ouatara, i njohur nga komuniteti ndërkombëtar si fitues i zgjedhjeve presidenciale në Bregun e Fildishtë, shpalli se refuzimi i presidentit aktual, Laurent Gbagbo, për ta dorëzuar pushtetin, e ka zhytur këtë vend në një krizë të thellë humanitare.
Popullsia lokale gjendet në një situatë tejet kritike, e agjenci të ndryshme të OKB-së – mes tyre edhe Programi ushqimor botëror – kanë kërkuar hapjen e një korridori humanitar, për të ndihmuar mbi 300 mijë njerëz të pastrehë brenda vendit, e duhet llogaritur edhe refugjatët e Bregut të Fildishtë që gjenden në Liberi, Guinea e Gana, siç njofton Karitasi. Sipas kësaj organizate kishtare, lypet afër 1 milion euro për ndihma humanitare urgjente për të përballuar situatën kritike.
Ndërkohë ish presidenti Gbagbo nuk e lë bunkerin e tij në Abigjan, i cili rrethuar nga mbështetësit e presidentit të ri të zgjedhur Ouattara.







All the contents on this site are copyrighted ©.