Gjashtë vjet më parë funerali i Gjon Palit II kremtuar nga kardinali Racinger: në
sajë të fesë në Krishtin, mbarti një peshë përtej forcave njerëzore.
Me 8 prill bie gjashtë vjetori i kremtimit te varrimit te Gjon Palit II. Pra, 6 vjet
më parë, më 8 prill 2005 me kremtimin e Meshës së dritës në sheshin e Shën Pjetrit
në Vatikan, udhëhequr nga kardinali Racinger, Kisha dhe bota mbarë i dhanë lamtumirën
Papës Gjon Palit I. Gjashtë vjet më parë, përcillej nga kjo botë drejt shtëpisë
së Atit Qiellor i dashuri Papa Gjon Pali II. Sot dëshirojmë, mbi të gjitha, të falënderojmë
përsëri Hyjin që na e dha për 27 vjet si atë e prijës të sigurt në fe, si bari të
zellshëm e profet të guximshëm të shpresës, si dëshmitar të palodhur e shërbëtor të
pasionuar të dashurisë së Hyjit. E njëkohësisht, ta kujtojmë figurën dhe veprën e
tij në shërbim të Hyjit Atë e të njeriu vëlla, devocionin e madh me të cilin Papa
Wojtila kremtonte Misteret e shenjte dhe adhuronte të Shenjtueshmin Sakrament të elterit,
qendër e jetës së tij dhe e misionit të tij të palodhshëm apostolik për të mirën e
njerëzimit mbarë. Pra më 8 prill të vitit 2005, një turmë e jashtëzakonshme njerëzish
në Sheshin e Shën Pjetrit, i jepte lamtumirën e fundit Papës Gjon Pali II. Një ngjarje
që, edhe në sajë të mediave, mori përmasa planetare e akoma sot, mbetet e skalitur
në kujtesën e miliona njerëzve. Era që shfleton Ungjillin! Turma e besimtarëve
që thërret “Shenjt menjëherë”! Flamujt polakë në zi! Tingëllimi i kambanave për mort!
Purpuri i veshjeve të kardinajve, bashkremtues të meshës! Shtrëngimi i duarve ndërmjet
krerëve të vendeve armike! Imazhe e tinguj të pashlyeshëm të një ngjarjeje, që ishte
para së gjithash, dëshmi feje. Për çerek shekulli, Papa Vojtila kishte përshkuar rrugët
e botës për të shpallur kudo Lajmin e Mirë. E tani, mbarë bota ishte grumbulluar
në sheshin e Shën Pjetrit për ta përqafuar për herë të fundit Papën e ardhur nga larg.
Për të falënderuar meshtarin, bariun, njeriu që u përsëriti të gjithëve e secilit
pa u lodhur: “Mos kini frikë. Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit”.
Vetë Gjon Pali II, gjatë jetës së tij, u bë një me Krishtin. Kështu e kujton kardinali
i atëhershëm Racinger, i cili kremtoi funeralin. Gjon Pali II, tha atëherë shoku i
rrugës e Papa i mëvonshëm, iu përgjigj thirrjes së Krishtit për ta ndjekur. Këtu qëndron
sekreti e misteri i forcës së tij: “Dashuria e Krishtit qe forca dominuese e
Atit tonë të Shenjtë; kush e ka parë të lutet, kush e ka dëgjuar të predikojë, e di.
E kështu, falë kësaj rrënjosjeje të thellë në Krishtin mundi të bartë peshën, që shkon
përtej forcave njerëzore: të bëhej bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së tij universale”. Fjalët
e fundit të kardinalit Racinger, tejet të mallëngjyera, përshkruajnë fort mirë ndjenjat
e popullit të Zotit për Papën Gjon Pali II. Duke i folur drejtpërdrejt Karol Vojtilës,
ai tha: “Mund të jemi të sigurt se Papa ynë i dashur qëndron tani në dritaren
e Shtëpisë së Atit, na sheh e na bekon. Po, na beko, o Atë i Shenjtë. Ia besojmë shpirtin
tënd Nënës së Zotit, Nënës tënde, që të udhëhoqi çdo ditë e do të të udhëheqë tani
në lavdinë e amshuar të Birit të vet, Zotit tonë Jezu Krisht”.