2011-04-08 16:50:11

Benedikti XVI, në takim me Komisionin Papnor për Amerikën Latine flet për përshpirtërinë e ungjillëzimin e ri


Përshpirtëria popullore është pasuri e madhe e Kishës, sepse u krijon njerëzve kushtet për ta shprehur me gjithë shpirt fenë e tyre. Benedikti XVI preku një temë tejet të dashur për të, në audiencën me pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, të cilët i priti sot në Vatikan. Papa tërhoqi vëmendjen mbi shtrembërimet e mundshme, që krijojnë rrezikun t’i dëmtojnë shprehjet e ndryshme të përshpirtërisë popullore.

“Sjellje të lashta, simbole të përsëritura, të trashëguara nga babai tek biri, nga gjyshi tek nipi, që ngrohin shpirtin me zjarrin e traditave, që flasin nga thellësitë e zemrave për Zotin, për Zojën e Bekuar e për Shenjtorët. Pasuri kjo, që duhet mbrojtur, duhet vijuar e duhet pastruar, në se është e nevojshme”: kështu u shpreh Benedikti XVI, duke reflektuar mbi argumentin, të cilin e ka theksuar shumë herë gjatë papnisë së Tij. Përballë specialistëve të Komisionit Papnor të Amerikës Latine, të cilët po diskutojnë këto ditë për ndikimin që ushtron përshpirtëria popullore mbi ungjillëzimin e Kontinentit, Papa rikujtoi pohimin e tij, në dokumentin përfundimtar të Konferencës së Aparesidës, mbajtur në vitin 2007. Asokohe, tha Ati i Shenjtë, ipeshkvijtë e patën paraqitur përshpirtërinë popullore si “një nga mënyrat për t’u takuar me Jezu Krishtin e për ta shprehur besimin e Kishës”. Prej këndej, nuk mund e nuk duhet parë si veprimtari e dorës së dytë në jetën e krishterë:
Todas ellas, bien encauzadas y debitamente…
Shprehjet e përshpirtërisë popullore, të drejtuara mirë e të organizuara si duhet, ndihmojnë fuqimisht për t’u takuar me Zotin, për ta adhuruar thellësisht të Shenjtnueshmin Sakrament, për ta nderuar Zojën e Bekuar, për ta dashur Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe për t’i edukuar besimtarët me vetëdijen se i përkasin Kishës. E, uroj, që kjo përshpirtëri të shërbejë për ungjillëzimin, për komunikimin e fesë, për t’i udhëhequr besimtarët tek sakramentet, për të forcuar lidhjet e miqësisë e të bashkimit familjar e komunitar si dhe për të fuqizuar solidaritetin dhe ushtrimin e bamirësisë”.
Në përshpirtërinë popullore, vërejti Benedikti XVI, ekzistojnë shumë shprehje të fesë, të lidhura me kremtimet e vitit liturgjik, në të cilat njerëzit e thjeshtë të Amerikës Latine ripohojnë me gjithë shpirt dashurinë e tyre për Krishtin. Gjithsesi, shtoi Shenjtëria e Tij, duhet të jemi të vëmendshëm për dy gjëra: së pari, për fenë që, e ushqyer nga Bibla e nga lutja, duhet të mbetet burimi kryesor i përshpirtërisë popullore, në mënyrë që kjo përshpirtëri të mos shikohet si shprehje thjeshtësisht kulturore e një zone të caktuar e, së dyti, për liturgjinë e cila, ripohoi me forcë…
“… deberá constituir el punto de referenzia…
duhet të jetë pikëmbështetje kryesore në drejtimin me qartësi e urti të prirjeve të ndryshme për lutje e jetë karizmatike, që i takojmë shpesh në përshpirtërinë popullore; nga ana e saj, përshpirtëria popullore, me vlerat e veta simbolike e shprehëse, mund t’i japë liturgjisë disa koordinata për inkulturimin e sukseshëm e për nxitjen e energjive të reja krijuese”.
Megjithatë duhet pranuar, theksoi Papa, se në këtë drejtim nuk mungojnë edhe problemet, se ekzistojnë disa forma të përshpirtërisë popullore, të cilat krijojnë pështjellim e mund të favorizojnë praktika fetare me efekte të jashtme, të shkëputura nga feja e vërtetë, që jetohet në thellësitë e shpirtit. Natyrisht, Kisha nuk mund të marrë pjesë në shfaqje të tilla e, aq më pak, t’i favorizojë, tha Benedikti XVI, dhe në vijim, citoi një fragment nga Letra e tij drejtuar, vitin e kaluar, seminaristëve:
La pietad popular puede derivar hacia…Sigurisht përshpirtëria popullore priret nga irracionaliteti, e nganjëherë, edhe nga efektet e jashtme. E megjithatë është gabim ta përjashtosh. Përmes saj, feja ka hyrë në zemrat e njerëzve, është bërë pjesë e emocioneve, e zakoneve të tyre, e mënyrës si ndjejnë e si jetojnë. Prandaj përshpirtëria popullore është pasuri e Kishës. Natyrisht, duhet pastruar vazhdimisht, por gjithsesi, meriton dashurinë tonë, sepse na bën të gjithëve, Popull i Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.