2011-04-08 19:57:58

Atë Federko Lombardit mbi tragjedinë e Lampeduzës: “Dhimbje pa emër?”


Tragjedia e Lampeduzës, me emocionet, që mbart me vete e, edhe me kërkesën për t’i kujtuar viktimat e për të punuar, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, është në qendër të reflektimit të sotëm të zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë…
“Tragjedia e fundit e mbytjes në det të një numri të madh emigrantësh e të ikurish ndërmjet Afrikës dhe Evropës, me të drejtë, ngjalli një emocion të madh e të thellë. Pa dyshim, janë shumë, qindra të panjohurit e zhdukur në Mesdhe gjatë muajve të fundit, mijëra e mijëra në vitet e mëparshme e, të vijnë në mendje edhe dhjetra mijëra vietnamezët, “boat people”(njerëzit e govatave të detit), që humbën jetën pikërisht në det, në muajt e parë të vitit 1979. Iknin nga uria, nga varfëria çnjerëzore, nga shtypja, nga dhuna, nga lufta… me rrezikun e vdekjes mes dallgëve, pa lënë gjurmë, madje as kujtimin e emrit. Shpesh, gjatë këtyre ditëve, është folur për një dhimbje “pa emër”. Keqardhja na shtyn të mos harrojmë, të kujtojmë, ashtu si për tragjeditë e tjera të njerëzimit, këtë histori, që është e jona, në solidaritet me të varfërit e botës.
E ka kuptuar këtë shumë mirë populli hebraik, duke ngritur memorialin e Jad Vashemit, “memorialin e emrave”. Pikërisht atje, Benedikti XVI shqiptoi meditimin, që më erdhi ndërmend këto ditë, para vdekjes së sa e sa viktimave të pafajshme e të panjohura. “Ata humbën jetën, por nuk do t’i humbin kurrë emrat: këta janë skalitur përgjithmonë në zemrat e të dashurve të tyre, të të mbijetuarve e të sa e sa njerëzve, të vendosur të mos lejojnë më që një tmerr i tillë ta çnderojë sërish njerëzimin. Në veçanti, sidomos emrat e tyre janë skalitur në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e Zotit të Gjithpushtetshëm”. “Vuajtjet e tyre mos u mohofshin, mos u zvogëlofshin, mos u harrofshin kurrë! E çdo person vullnetmirë qoftë vigjilent për të çrrënjosur nga zemra e njeriut, çdo gjë që mund të sjellë tragjedi të ngjashme me këtë!”. Ta çrrënjosim urrejtjen absurde, e cila çoi drejt shfarosjes së hebrenjve, Shoahut, por edhe të impenjohemi tani, në çrrënjosjen e padrejtësive, të indiferencës dhe të egoizmit, që shkaktojnë zhdukjen e shumë personave në det, në kërkim të një jete më njerëzore. Zoti i kujton, t’i kujtojmë edhe ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.