2011-04-08 11:39:22

Atifete Jahjaga zgjedhet Presidente e Kosovës


Parlamenti i Prishtinës zgjodhi dje në mbrëmje një grua, ish-komandanten e policisë, në krye të shtetit. Është Atifete Jahjaga, 36 vjeç, një më shumë se mosha minimale e kërkuar për t’u zgjedhur në këtë detyrë, e para presidente grua, në tri vjetët e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Presidentja e re u zgjodh që në turnin e parë të votimeve, duke fituar 80 vota ndër 120 të mundshmet. Kapërceu kështu, kandidaten tjetër për presidente, Suzana Novobërdaliu, e cila fitoi vetëm 10 vota.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga forcat kryesore politike, Jahjaga do të qëndrojë në krye të shtetit për një vit, derisa Parlamenti të ndryshojë Kushtetutën, për ta zgjedhur presidentin me votim të drejtpërdrejtë nga populli. Me zgjedhjen e saj, përfundon edhe kriza institucionale kosovare e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e deklaroi të paligjshëm emërimin e presidentit të mëparshëm, Behgjet Pacolli. U shmang gjithashtu edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.
Në fjalimin e saj të parë si presidente e Republikës së Kosovës, Jahjaga bëri thirrje për pajtim me Serbinë: “Kosova e Serbia – tha ajo – mund të ndihmojnë njëra-tjetrën përmes bashkëpunimit e zbatimit të vlerave më të mira të Bashkimit Evropian. Është proces i natyrshëm për dy vende, që kanë pasur konflikte në të kaluarën. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Rajoni duhet të ketë paqe e qëndrueshmëri”. Po më hollësisht nga Prishtina të dëgjojmë shërbimin e Rabie Ibrajt............RealAudioMP3

Biografia e shkurtër e Presidentes së Kosovës
Atifete Jahjaga u lind më 20 prill, 1975, në Gjakovë, ndërkaq shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë. Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, certifikimin postdiplomik në menaxhimin policor dhe të së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe certifikimin postdiplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA. Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia. Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë "Xhorxh Marshall" në Gjermani dhe në Akademinë Nacionale të FBI së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri tash, Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.







All the contents on this site are copyrighted ©.