2011-04-07 14:55:50

Më 7 prill kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Pagëzuesin de La Sal.


(07.04.2011 RV)Gjoni lindi në Reims të Francës, më 30 prill 1651, nga prindër fisnikë, por jo të pasur. Ishte një nga të dhjetë fëmijët, që u rritën në prehër të kësaj familjeje vërtetë katolike. Me gjithë vështirësitë ekonomike, prindërit bënë çmos t’i shkollonin të gjithë fëmijët, e dhe Gjonin, i cili kreu fakultetin e letërsisë e të filozofisë. Po nuk e ndoq karrierën shkollore, që i hapej para. Zgjodhi rrugën meshtarake e, më 1678, ia kushtoi gjithë jetën Zotit.
Nisi një veprimtari shumë të frytshme, duke bashkëpunuar me shkollat, themeluar nga Adrian Nijel, besimtar shekullar me kushte të jetës rregulltare, që punonte për shkollimin e bijve të popullit. E kjo, sepse asokohe shkollat drejtoheshin nga mësues të padijshëm e pa kurrfarë aftësie për të ushqyer dashurinë për kulturën. E pikërisht nga mësuesit u nis Shën Gjoni. I mblodhi të gjithë mësuesit e Nijelit në një shtëpi të përbashkët, nisi të jetojë me ta, të studiojë me ta e t’i bëjë të studiojnë, duke vërejtur edhe metodat e shkollave të tjera. Përcaktoi një nga metodat më moderne e përdori si gjuhë bazë frëngjishten, duke hequr dorë nga dhënia e mësimeve në latinisht.
Kështu, shën Gjon Pagëzuesi de la Sal themeloi kongregatën e Vëllezërve të Shkollave të Krishtera që lulëzoi shumë shpejt. Ai kishte një vizioni të tij të krishterë për shkollën, si mjet për ngritjen kulturore e shpirtërore të njerëzve dhe për luftimin e paragjykimeve, vizion që ende sot është tejet aktual. E për realizimin e këtij projekti, më 1680 lindi bashkësia e “Vëllezërve të shkollave të Krishtera”. Anëtarët nuk ishin meshtarë por rregulltar, vishnin veladon të zi me jakë të gjerë, të bardhë e mbathnin këpucët karakteristike prej druri të fshatrave francezë.
Nën drejtimin e Shën Gjonit hapën edhe shkolla të reja. Më 1687 ngritën noviciatin e tyre. Më 1688 u thirrën të japin mësim në Paris, ku që vitin e parë shkollën e tyre e ndoqën një mijë nxënës. Për shkak të kritikave e të pengesave, që i erdhën nga jashtë, Shën Gjoni u detyrua ta çonte bashkësinë e tij në Shëngjin, pranë Ruenit, ku edhe vdiq, më 7 prill 1719. Është pajtor i mësuesve.







All the contents on this site are copyrighted ©.