2011-04-07 18:10:03

Joakin Navarro-Valls: Gjon Pali II i foli për Zotin një breznie të tërë.


Ditët e kalendarit zëvendësojnë njëra-tjetrën e afrohet gjithnjë më shumë dita e Lumnimit të Gjon Palit II. Kjo ngjarje, që sigurisht do të mbetet e paharrueshme në kujtesën e mbarë njerëzimit, po paraprihet nga një mori nismash, për ta bërë sa më të njohur figurën e Tij vigane. Natyrisht, emocionin më të madh e ndjejnë ata, që patën fatin të punojnë krah-për-krah me Papën Vojtila, siç është rasti i ish-drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Joakín Navarro-Valls, i cili, në intervistën dhënë, me këtë rast, Radio Vatikanit, flet për emocionin e thellë, që provoi, kur mori vesh lajmin për Lumnimin e Gjon Palit II:

Përgjigje: - Do të thosha, të njëjtat ndjenja, që provova pak minuta pas vdekjes së tij, në mbrëmjen e 2 prillit 2005. E prita, pra, me ndjenjat e mirënjohjes së thellë ndaj këtij Njeriu, ndaj këtij Pape, që na foli për Zotin – e jo vetëm mua, natyrisht, por një breznie të tërë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë. Na ndihmoi ta bëjmë tonin thesarin e vlerave njerëzore e kristiane, zëdhënës i të cilit është Papa.

Pyetje: - Ju jetuat për 20 vjet me radhë pranë Gjon Palit II e, natyrisht, e ndjetë fort praninë e tij. Po pas 2 prillit 2005? Sa është i pranishëm Gjon Pali II në shpirtin tuaj pas kësaj date?

Përgjigje: - Pyetja juaj më sjell në kujtesë ditët menjëherë pas vdekjes së tij, më kujton një nga konferencat e shtypit, që vijoja t’i jepja pothuajse për ditë, gjatë periudhës së selisë vakante. Një gazetare, më duket se ishte gjermane, më bëri pyetjen: “A ju mungon Gjon Pali II, juve, që ishit pranë tij gjatë gjithë viteve të papnisë?” Iu përgjigja: “Jo, nuk më mungon!”. Nuk më mungonte, nuk më mungon, sepse më parë – e kjo varej nga tipi i punës – mund të rrija me të dy ose tri orë në ditë, ndërsa tani rri 24 orë. Ai është i pranishëm në jetën time gjatë 24 orëve të ditës e të natës. I lutem të më japë dorën, kur kam nevojë, ashtu si kërkoja, shumë përvujtërisht, t’i jepja dorën në një nga aspektet e papnisë: në aspektin komunikativ.

Pyetje: - Cila është dhurata më e madhe, që ju ka bërë Gjon Pali II si njeri e si besimtar?

Përgjigje: - Mendoj se trashëgimia e tij më e madhe është ai vetë, sepse mbetet shembull i asaj, që kërkon të jetojë çdo i krishterë, i Ungjillit, gjë që shihej qartë në çdo çast të jetës së tij. Kjo është dhurata më e madhe. Dhurata të tjera, të një përmase tjetër, janë sasia e pafundme e kujtimeve në kontaktin e përditshëm me të, për shumë vjet.

Pyetje: - A ka ndonjë çast a ndonjë fjalë të Karol Vojtilës, që e patë në një dritë të re pas vdekjes së Tij?

Përgjigje: - Po, natyrisht. Më kujtohet një mendim, që ai e përmblidhte në një frazë, të cilën e mbaj mend fjalë për fjalë. E pati përsëritur në disa raste, si në Unesko, për shembull… Mendimi i tij ishte: “Një fe, që nuk bëhet kulturë, është fe e mësuar keq, e jetuar keq, e komunikuar keq”. Ja, këtë frazë e kam gjithnjë në kokë. E kjo është edhe sfida e madhe e këtij çasti historik: nga njëra anë është feja, ajo që mendojmë se është fe; nga ana tjetër, problemi i mprehtë: - si ta bëjmë këtë fe kulturë? Një fe, që nuk bëhet kulturë, jetohet keqas: këtë mendim të Gjon Palit II nuk mund ta shlyejë kurrë nga kujtesa.

Pyetje: - Shenjt menjëherë! Që nga dita e salikimeve, njerëzit e prisnin këtë çast, kremtimin e Lumnimit. Mund të thuhet me plot gojën se populli i Zotit e njohu menjëherë shenjtërinë e Papës Gjon Pali II…

Përgjigje: - Për shumë shekuj Shenjtorët bëheshin pikërisht për shak të bujës popullore. E këtë e patëm parasysh atë paradite, atë ditë, kur kremtohej Mesha e Tij e dritës në tremen e Shën Pjetrit. Pse kjo? Sepse njeriu ka një aftësi të madhe, të pashembullt, që i përket vetëm atij. Është aftësia për ta njohur të vërtetën. Gjon Palin II e kemi parë të gjithë. Për shumë e shumë vite, kemi vërejtur përkimin e plotë ndërmjet fjalës që thoshte, fjalës që komunikonte e asaj që jetonte. Fjala, predikimi e jeta ishin një gjë e vetme. Prandaj mund të themi se ai i përçonte vlerat e krishtera jo vetëm me atë që thoshte por, mbi të gjitha, me jetën e vet. Fjala e Zotit, që nuk jetohet, nuk mund të sigurojë kthesën e zemrave. Zemrat janë tejet të ndjeshme: nuk është e lehtë t’i bësh për vete, ashtu si i bëri Gjon Pali II.

Pyetje: - Keni thënë një herë se Karol Vojtila kishte gjithnjë humorin e mirë të shenjtorëve. Ja, më duket gjë e bukur të mendosh se tani Papa Gjon Pali II po na buzëqesh nga qielli…

Përgjigje: - Po, jam i sigurt, i bindur. Ati i Shenjtë, përveç shumë e shumë cilësish, kishte edhe këtë: humorin e mirë, madje, të shkëlqyer! Ishte njeri, që bënte vetëm mirë, e prej këndej, gjithçka i dukej e mirë. Jeta, sidomos. E kjo buronte drejtpërdrejt nga karakteri i tij. Ishte thellësisht i bindur se të gjithë jemi bij të Zotit. E kjo të bën të sigurt, optimist, në të mira e në të vështira. E përfytyroj këtë çast duke vënë në buzën në gaz. Natyrisht është buzëqeshja më e bukur, sepse tani bën buzën në gaz para syve të Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.