2011-04-07 17:09:09

Benedikti XVI: shoqëria nuk e kupton më martesën si bashkim të qëndrueshëm e të hapur ndaj jetës. Ungjilli na edukon në vlera të vërteta


Kisha nuk mund të mbështetët më në shoqërinë e sotme për një mirëkuptim të martesës sipas vështrimit e kuptimit të krishterë. Kështu pohoi mes tjerash Benedikti XVI në fjalimin që u drejtoi sot paradite grupit të ipeshkvijve të Kishës siro-malabareze të Indisë, të cilët i priti në audiencën me rastin e përfundimit të vizitës së tyre Ad Limina Apostolorum. Papa Racinger preku edhe temën e thirrjeve të shenjta, atë të misionit ipeshkvnor si dhe të formimit të përhershëm të rregulltarëve e të besimtarëve.
Ta mendosh sot martesën si një lidhje të qëndrueshme, të patundur, të përhershme, të hapur ndaj lindjes së fëmijëve, sipas shoqërisë e mediave shoqërore të komunikimit është diçka e gabuar, jokorrekte, sepse familja është bërë tashmë e thërrmueshme si vlerat e shumëkujt që e lartojnë dhe fëmijët më shumë pretendohen si një e drejtë që dëshirohet se sa një dhuratë e Zotit. E pikërisht nga ky konstatim i mprehtë (hollë) i gjërave që sot mbizotërojnë, buron vlerësimi që Benedikti XVI bënë në një pik të fjalimit të tij drejtuar ipeshkvijve të Indisë, me traditë siro-malabareze.
Në fjalimin e tij Papa flet për ndryshimet që regjistrohen në shoqërinë bashkëkohore “në mbarë botën”, të cilat i përkufizon të “shpejta e dramatike”, për “sfidat e rënda”, por edhe për “mundësitë e reja” që Kisha ka para vetes e për ata njerëz që shpenzohen për “kumtimin e së vërtetës së mesazhit ungjillor që të bënë të lirë”. T’ia çosh botës së familjes këtë kumtim, ky për Papën është një impenjim vendimtar i Kishës, sepse thekson Ati i Shenjtë:
“Mjerisht, Kisha nuk mund më të llogaris në mbështetjen e shoqërisë në përgjithësi për promovimin e vështrimit e të kuptimit të krishterë të martesës si bashkim të qëndrueshëm e të pazgjidhshëm, që është i hapur ndaj lindjes së jetës e shenjtërimit të bashkëshortëve”.
Pas kësaj, Papa ripohon një nga një ato parime që sot janë vënë jashtë loje nga relativizmi:
“Mbështetja jua, të dashur vëllezër ipeshkvij, e ajo e meshtarëve tuaj dhe e bashkësive në edukimin e shëndosh e të tërësishëm të të rinjve në udhën e pastërtisë e të ndërgjegjësimit, jo vetëm do t’u mundësojë atyre ta përqafojnë natyrën e vërtetë të martesës, por do të jetë edhe në dobi të kulturës indiane në tërësinë e saj”.
Më tej, Papa duke folur mbi misionin ipeshkvnor, i nxiti prelatët siro-malabarez të jenë shembull e “mision bashkimi”. Kjo përgjegjësi, pohoi Ati i Shenjtë, “është me rëndësi të veçantë për një Vend siç është India, ku pasqyrohet bashkimi i Kishës më rite e tradita të ndryshme e të pasura”. Së fundi, Papa kërkoi që vëmendja e klerit kishtar të përqendrohet te edukimi dhe bamirësia në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.