2011-04-06 17:12:43

Thirrja e Papës për Bregun e Fildishtë dhe Libinë: dhuna e urrejtja janë gjithnjë disfatë, palët në konflikt të ecin në rrugën e paqes


Benedikti XVI i ndjek me vëmendje e shqetësim të thellë dramat, që po jeton këto ditë popullsia e Bregut të Fildishtë dhe ajo e Libisë. Prej këndej, u kërkon të gjitha palëve të ecin në rrugën e dialogut e të paqës. Me këtë thirrje e përfundoi Ati i Shenjtë audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 20 mijë shtegtarëve e besimtarëve, të cilëve u foli për figurën e ndritur të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë.

Kush flet me gjuhën e armëve për të arritur fitoren, duhet ta ketë të qartë se e ka humbur betejën, pa e nisur akoma. Këtë nënvizoi Benedikti XVI, duke i nxitur palët në konflikt të ecin në rrugën e paqes e të mos lejojnë që në Libi e në Bregun e Fildishtë të flasin urrejta e armët:
“Uroj, edhe, që kardinali Turkson, të cilin e dërgova në Bregun e Fildishtë për të shprehur solidaritetin tim, të mund të hyjë sa më shpejt në vend. Lutem për viktimat e jam shpirtërisht pranë të gjithë atyre, që vuajnë. Dhuna e urrejtja janë gjithnjë disfatë. Prandaj u bëj përsëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të ecin në rrugën e paqes e të dialogut e t’i japin fund gjakderdhjes”.Me këto fjalë Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën në dy shtetet afrikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.