Mesazhi i Papës për 80 vjetorin e Veprimit Katolik të Argjentinës: laikët ta shndërrojnë
botën me Ungjill
Me rastin e 80 vjetorit të Veprimit Katolik të Argjentinës, Papa Benedikti XVI ka
dërguar një Mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone,
në të cilin shpreh mirënjohjen personale ndaj Zotit “për këto vite të dendura e për
punën e dobishme të ungjillëzimit e të shenjtërimit”. Në mesazhin drejtuar asistentit
të përgjithshëm të shoqatës kishtare “Veprimi Katolik”, ipeshkvit të Konkordias, imzot
Luis Armando Collazuol, Papa kujton rolin e laikëve në “shenjtërimin e Kishës e të
botës përmes shndërrimit të realitetit bashkëkohor sipas vlerave të mbretërisë së
Zotit”. Duke cituar dokumentin e Aparecidas, Ati i Shenjtë nënvizon se për zhvillimin
e misionin ungjillor më përgjegjshmëri e besnikëri, “besimtarët laikë kanë nevojë
për një formim me baza të forta doktrinore, baritore, shpirtërore e për një mbështetje
e përcjellje të përshtatshme” nga kleri”. Benedikti Xvi kërkon një përforcim të
angazhimit formues, në mënyrë që sipas shembullit të Krishtit, e në bashkëpunim të
ngushtë me ipeshkvijtë, anëtarët e Veprimit Katolik ta çojnë “tharmin e Ungjillit
në të gjitha zemrat e në të gjitha fushat e shoqërisë, të botës punëtore, të politikës,
të kulturës e nëpër familje”. Me rastin e 80 vjetorit, Veprimi Katolik argjentinas
ka promovuar disa projekte, ndër të cilët spikat fushata e luftimit të varfërisë me
temën: “Varfëria bënë keq. Të ndërtojmë një komb pa të mënjanuar”.