2011-04-05 15:52:18

Papa Gjon Pali II: Lumnimi


Më 14 janar 2011, Papa Racinger nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II do të shpallet i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi do të mbahet në Vatikan e do të kryesohet nga Benedikti XVI. Është e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Vojtila e për mbarë popullin polak.
Sigurisht ky lajm, i cili tashmë ka marrë dhenë, e vë edhe një herë në qendër të vëmendjes Papën Vojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe franceze nga sëmundja e Parkinsonit.
Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit, që filloi pa pritur të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike, sepse Benedikti XVI nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi i tij, kur ishte fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë, vdekur më 1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve - e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që gëzonte Papa Vojtila sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpjegon se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy lehtësi. E para ka të bëjë me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta, me përjashtimin e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha procedurat u kryen me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja u trajtua njëlloj si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike të Kongregatës përkatëse. Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin e këtij Pape të madh, Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej çdo dyshim e të kapërcehej çdo vështirësi, që mund të delte më pas.
Më 14 janar 2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë e kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Vojtila).
Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit 2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe në dioqeza të tjera.
Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë juridike të proceseve kanonike.
Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit.
Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën e zakonshme, e njëjta Positio iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar.
Më 19 dhjetor 2009 Papa autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet heroike e mbi mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre, rregulltare e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht nga sëmundja e Parkinsonit.
Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat, si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht.
Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II.
Së fundi, më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar: shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.

Kujtojmë se arkivoli i Atit të Shenjtë do të mbartet nga Kripta e Vatikanit, pa u hapur, për t’u vendosur në kapelën e Shën Sebastianit. Kështu besimtarët do ta kenë më të lehtë të gjunjëzohen tek vendi ku pushojnë në paqe reliket e Papës polak, ashtu siç bëjnë, kur duan të luten para trupit të balsamosur të Gjonit XXIII, poshtë elterit të Shën Jeronimit, në bazilikën e Shën Pjetrit.
Nuk është vendosur akoma data e kujtimit liturgjik, që do të bëhet e njohur pas lumnimit. Kjo ditë, në të cilën Kisha do të kremtojë kujtimin e të Lumit Gjon Palit II, do të vendoset nga Kongregata për Kultin Hyjnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.