(05.04.2011 RV)Në Libi, vazhdojnë luftimet ndërmjet forcave të Gedafit dhe
kryengritësve, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit nuk po japin
ndonjë rezultat. Vija e frontit është ndalur në qytetin e Bregës, ku vijojnë edhe
bombardimet e NATO-s. Pakti i Atlantikut deklaroi sot se ka shkatërruar 30% të armatimeve
të kolonelit libian. Ndërsa, në Misratë, regjimi ka përdorur mburoja njerëzore. Ndërkaq,
bisedimet politike mbi Libinë nuk kanë dhënë rezultate, pasi nuk ekziston asnjë marrëveshje
mbi të ardhmen e Gedafit, i cili dje foli përmes televizionit shtetëror, pas ditësh,
që nuk dukej. Gjatë natës, zëdhënësi i qeverisë së Tripolit deklaroi se regjimi është
gati për zgjedhje të reja dhe për reformimin e sistemit politik, por koloneli duhet
të qëndrojë në vend. Këshilli Kombëtar i tranzicionit filloi sot shitjen e naftës
jashtë shtetit, nga zonat, që nuk janë më në duart e Gedafit. Katari ka pranuar të
tregtojë naftën e puseve lindore të Libisë.