Atë Karl Serreqi OFM në 57 vjetorin e vdekjes, martir
(05.04.2011 RV)Përkujtojmë sot 57-vjetorin e vdekjes së Atë Karl Serreqit, martir
i rrëfimit shenjt, një nga të dyzetë martirët që dhanë jetën për fenë e çështjen e
Krishtit nën tehun e shpatës së diktaturës komuniste në Shqipëri, çështja dioqezane
e beatifikimit të të cilëve vijon tani në Kongregatën e Vatikanit për Shenjtorët.
Atë Karl Serreq është frati që nuk pranoi me tregu rrëfimin e një të plagosuni në
ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 5 prill 1954. Të
gjithë ata që e pranojnë Jezu Krishtin dhe Ungjillin e tij, janë të ndërgjegjshëm
se tjetër shpërblim në këtë tokë s'kanë për të pasur, veç Kryqit. E megjithatë, me
miliona njerëz e pranojnë vullnetarisht Kryqin e Golgotën. Ashtu si Mësuesi. Në emër
të dritës, të amshimit! Ngarkuar rëndë me kryqin e Krishtit eci për 20 shekuj krishterimi
në tokën shqiptare, që Ungjillin e pranoi së pari nga vetë Shën Pali Apostull, duke
filluar kështu edhe martirizimin në emër të Lajmit të Mirë. Të parët u martirizuan
nga paganët romakë, por gjaku i tyre u bë farë për të krishterë të rinj! U dogjën
e u poqën, më pas, prej turqve, por një çetë trimash nuk pranoi, as për para e as
për rytbe, ta ndërronte kryqin me gjysmë hënën e qeleshen me çallmë. Falë këtyre njerëzve,
katolicizmi mbijetoi në trojet shqiptare. Falë qëndrueshmërisë e besnikërisë shumëshekullore
ndaj Kryqit, mundi të përballojë edhe tramundanën shkatërrimtare, komunizmin ateist. Këtë
e vërteton mrekullisht historia e familjes së vjetër shkodrane të Kolë Serreqit, që
i dha fesë katolike martirë e dëshmitarë feje. Kjo familje ishte një nga më të
vjetrat e më të njohurat e Shkodrës. Një shekull e gjysmë më parë, rreth vatrës së
saj u rritën Dom Pal e Dom Lazër Serreqi, që zhvilluan një veprimtari të shquar fetare
e atdhetare, në kohën kur kjo veprimtari paguhej me kokë. Si iu kundërvunë disa herë
urdhrave të Vezirit të Shkodrës, ai i burgosi në bimsat e errëta të kështjellës "Rozafat"
dhe i dënoi me vdekje. Familja dha gjithë pasurinë - arka të mbushura me rrushpe
ari - për t'i shpëtuar dy meshtarët. Ia doli mbanesh të shpëtonte vetëm njërin. Tjetrit
iu pre koka gjatë një ceremonie, që tronditi të madh e të vogël. Ishte shfaqje, e
cila jepej për t'i tmerruar të gjithë ata, të cilët i gjunjëzoheshin vetëm Atij, që
vdiq në Kryq për shëlbimin e të nëpërkëmburve. Gjithsesi Veziri i Shkodrës u tregua
më i njerëzishëm se oficerët mizorë të sigurimit komunist: ia dorëzoi trupin pa kokë
familjes. Atëherë shtëpia e moçme karakteristike shkodrane e Serreqëve bëri një gjëmë
që s' ishte dëgjuar kurrë e që rrënqethi deri gurët: vajtoi një trup pa kokë, veshur
me petka elteri! Kjo familje, si vazhdimësi tradite, do të përkundte, do të rriste
në fe, në dashuri e në besnikëri të patronditshme ndaj Krishtit një tjetër figurë
të ndritur të katolicizmit shqiptar, fratin françeskan Atë Karl Serreqi, të cilin
sot po e përkujtojmë në 57 vjetorin e vdekjes. Atë Karl Serreqi lindi në Shkodër
më 1911. Në pagëzim iu dha emni Ndoc. Ishte dali i tretë që i shtohej familjes së
Kol Serreqit, mbas Angjelinit, që për arsye të jetës së tij të devoçme u njoh në Shkodër
me emrin Lin Shenjti, dhe Çeskut, që do ta kalonte një pjesë të mirë të jetës në burgun
komunist. Mësimet e para dhe të mesme Atë Karli i kreu në shkollën françeskane
të Shkodrës. Studimet teologjike në Itali, në Studio Teologico Francescano. U shugurua
më 29 shtator 1936 dhe me 30 qershor të këtij viti, çoi meshën e parë në Peshia, pranë
Montecatinit, në Itali. U kthye nga dheu i huaj meshtar, 25 vjeç, plot zell e dëshirë
për të përhapur dritën e Ungjillit në bjeshkët shqiptare, ku katolicizmi i bëri ballë
500 vjet presionit islamik. U caktua së pari famullitár në Nikaj e Mertur (Curraj
i Epër, Berishë, Raaj) ku shërbeu 10 vjet, deri më 1946. Me 9 tetor 1946, ngarkuar
me pranga, u zvarrit në kuvendin e fretërve françeskanë, kthyer në burg të tmerrshëm.
Në malet ku shërbente si famullitar Atë Karli, ishte plagosur për vdekje një malësor,
në ndeshje me forcat e ndjekjes. Familja vrapoi te frati e i kërkoi t'i jepte të plagosurit
sakramentet e fundme. Atë Karli e kreu me shpejtësi detyrën: e rrëfeu, e kungoi dhe
e vajoi të plagosurin, që dergjej në pyll. Në këtë kohë Dukagjini ishte nën kontrollin
e rreptë të komunistëve. Qe kohë zjarri, gjaku, kobi. Malet shqiptare vijonin t'i
kundërviheshin diktaturës e nuk dorëzoheshin. Kontrollet komuniste e akuzuan fratin
e ëmbël, të butë, të thjeshtë, që s'njihte politikë tjetër veç Kryqit të Krishtit,
se kishte vajuar një diversant, se ishte në dijeni të sekreteve të rrezikshme për
partinë e pushtetin, të cilat i plagosuri i kishte marrë me vete në varr. E ndërsa
shpirti i malësorit të vdekur fluturonte në dritën e amshimit, frati torturohej mizorisht
në errësirën e birucës, që i ngjiste shumë bimsave, ku i pati mbyllur dikur turku
dy xhaxhallarët e tij martirë. E kërcënuan. E gjakosën. Kërkonin me çdo kusht të fshehtën
e pëshpëritur në prag të vdekjes, në sa njeriu flet me meshtarin, si të fliste me
vetë Zotin. A mundet vallë të të tradhtojë Zoti? Prandaj ai qëndroi, e s'do të ishte
as i pari as i fundit…. Familja e merrte veshtë çka po ndodhte aty brenda, kur
i kthehej mbrapsht ushqimi a kur i dorëzoheshin ndërresat e mpiksura nga gjaku e qelbi,
të cilat i lante me lot në sy, e kunata e devoçme, Luçia. Më 18 janar 1947 gjyqi
ushtarak lexoi dënimin e tij me vdekje. Tri javë Atë Karli priti ditë-natë ekzekutimin.
Mbas tri javësh, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Vetëm sepse nuk pranoi të
bëhej spiun i komunistëve! Pse s' pranoi të shkelte premtimin e bërë në elter… 7
vjet kaloi nëpër burgje. Me 19 korrik 1947 u dërgua për të vazhduar dënimin në Maliq
të Korçës. Adresa e tij e re, siç dëshmojnë letrat e ruajtura nga familjarët, ishte
"Kampi i armiqve të popullit", Maliq , Korçë. Me 3 dhjetor u transferua në Vlashuk
të Urës Vajgurore - Berat e, pak më vonë, në burgun famëkeq të Burrelit. Ende s'i
kishte mbushur 43 vjet, kur familja mori nga Atë Donat Kurti telegramin "Pader Karloja
ndërroi jetë më 4 prill 1954 nga nji vdekje e papritun, prej zemret". Qeveria komuniste
e Shqipërisë nuk u tregua aq e mëshirshme sa Veziri turk. Nuk ia ktheu trupin e vdekur
të vetëve. Frati u varros diku në varrezën e burgut. E familja nuk guxoi t'i qitëte
vajin, si pati bërë me trupin pa kokë të një biri tjetër martir. Familja e qau Atë
Karlin në heshtje, e qau me lot të fshehtë gjaku. … Atë Karli është një nga njerëzit
fisnikë të pa varr, por jo të paemër. Ai nuk shkroi epopenë e kombit, as satira e
lirika të pavdekshme, si atë Gjergj Fishta e dom Ndre Mjeda; nuk thuri prozë madhore,
si dom Lazër Shantoja; drama të bukura, si dom Ndre Zadeja; nuk kodifikoi Kanunin
e Lekës, si atë Shtjefën Gjeçovi, nuk mblodhi Eposin e Mujit e të Halilit, si atë
Bernardin Palaj e atë Donat Kurti… nuk shkroi, pra, kryevepra të letërsisë a të muzikës
shqiptare, si shumë bashkëvëllezër të tij… Po kjo nuk ia zbeh aspak vlerën. Veprën
e tij, mbrojtjen e idealit, të cilit i kishte kushtuar jetën, atë Karli e la të shkruar
me gjak martiri ballë për ballë diktaturës ateiste të komunizmit.