2011-04-04 15:32:13

Orisa: arrestohen 12 indianë të kthyer në fenë e krishterë, pa lejen e autoriteteve.


Në shtetin indian të Orisës, policia e zonës së Maiurbhanj arrestoi 12 anëtarë të një fisi vendas, të kthyer në fenë e krishterë nga dy pastorë protestantë: Samuel e Manuel Mohapatra di Baltasore të cilët, më pas, u zhdukën pa lënë gjurmë. Njoftimin e jep AziaNjuz. Të dy kanë shkelur Aktin e Orisës për Lirinë Fetare (Orissa Freedom of Religion Act) që ndalon kthimin nga një fe, në një tjetër, pa lejen e autoriteteve. Të krishterët e rinj u arrestuan pas një padije, paraqitur në gjykatë pak ditë më parë kundër dy pastorëve e 13 anëtarëve të fisit, kthyer në krishterim. Një prej tyre arriti të shpëtonte nga arresti.
Sajan K. George, kryetar i Global Council of Indian Christians (Gcic), e dënoi vendimin e autoriteteve të zonës, duke i kërkuar Naveen Patnaik-ut, kryeministër i Orisës, t’i tërheqë akuzat kundër të arrestuarve dhe t’i japë fund një herë e mirë ushtrimit të dhunës kundër të krishterëve në vend. “I kërkojmë kryeministrit të Orisës – pohon ai - të nisë hetimet kundër funksionarëve të policisë, që vijojnë prej kohe t’i frikësojnë si anëtarët e fiseve, ashtu edhe barinjtë protestantë të zonës Maiurbhanj. Sipas aktivistit, qeveria vendase duhet t’i ndalojë të gjithë ata, që e përdorin ligjin për të persekutuar popullsinë, duke e interpretuar shtrembër Kushtetutën, e cila bazohet mbi respektin, drejtësinë e lirinë. “Ky veprim i policisë dhe i ekstremistëve hinduistë të Sangh Parivarit – shton – është shkandullues. Madje mund ta quash parodi të vizionit të fisëm, që është në bazë të idealeve të sanksionuara nga Kushtetuta indiane”. Në këto vite, zona e Maiurbhanj ka qenë teatër i akteve të vazhdueshme të dhunës kundër të krishterëve, të sulmuar padrejtësisht nga fanatikët hinduistë. Më 22 janar 1999, Graham Stewart Staines, misionar anglikan australian dhe të bijtë, Filipi e Timoteu, u dogjën të gjallë, ndërsa flinin në kamperin e tyre, në fshatin Manoharpur. Në të njëjtin vit, atë Arul Doss, prift i kishës së Anandpurit, u sulmua nga 10 ekstremistë, që e mbytën duke e gjuajtur me shigjeta e pastaj e dogjën në kishën e tij. Orisa është një nga gjashtë shtetet (Madhya, Pradesh, Gujarat, Tamil Nadu, Rajastan, Arunachal Pradesh), ku është në fuqi ligji kundër kthimit nga një fe, në një tjetër. Ligji u hartua dhe u miratua sipas dëshirës së një grupi ekstremistësh huinduistë, të lidhur me partinë e opozitës Bharatiya Janata Party (Bjp), për të ndaluar të ashtuquajturin ‘prozelitizëm” ose konvertimet me pagesë. Asnjë nga këto akuza deri më sot nuk është provuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.