Më 4 prill kalendari kishtar përkujton Shën Izidorin, ipeshkëv i Seviljes e doktor
i Kishës
Izidori i Seviljes (560 – 636) është ati i fundit i Kishës latine. Ishte vëllai i
shën Fulgencit e Leandrit, që e edukuan Izidorin dhe motrën e tyre, Fiorentinen. Shën
Leandri qe kryeipeshkëv i Seviljes, të cilin e zëvendësoi Izidori, ipeshkëv i Seviljes
që jetoi ndërmjet shekullit VI dhe VII. Në vitin 633 drejtoi koncilin e katërt të
rëndësishëm të Toledos. Shkrimtar enciklopedik, Izidori qe lexuar e studiuar shumë
në mesjetë, sidomos për Etimologjitë e tij, një vepër jashtëzakonisht e dobishme e
shkencës së lashtë. Është autor i shumë librave që trajtojnë të gjitha fushat e dijes
nga agronomia te medicina, nga teologjia deri te ekonomia shtëpiake apo familjare.
Autorët e tij të preferuar qenë shën Agostini e shën Gregori i Madh. Izidori konsiderohet
mësues i Evropës mesjetare e organizuesi i parë i kulturës së krishterë. “Të krishterët
të jenë njerëz të kundrimit dhe të veprimit”, këtë karakteristikë të shën Izidorit
e vënë nëdukje kalendari i sotëm kishtar. Të krishterët rrezikojnë të jenë
njerëz me një përmasë të vetme. Një rrezik ky që e kishte mirë parasysh shën Izidori,
njeri i kulturuar e mik i mirë i Papës Gregori i Madh, i fundmi i Etërve të krishterë
të lashtësisë. I rritur mes librash, qe detyra e tij si ipeshkëv, përballë rrezikut
të dyndjes së Vizigotëve dhe të përhapjes së herezisë ariane, ajo që e bëri të reflektonte
mbi jetën e krishterë dhe të përshkruante se si duhet të jetë ajo, për të qenë e plotë
dhe e vërtetë. Izidori qe pa dyshim njeriu i kundërshtive dialektike të theksuara.
Edhe në jetën e tij personale, eksperimentoi një konflikt të vazhdueshëm të brendshëm,
shumë i ngjashëm me atë që pati ndjerë shën Gregori i Madh e shën Agostini, ndërmjet
dëshirës për vetmi, për t’iu kushtuar tërësisht meditimit të Fjalës së Zotit, dhe
kërkesës së bamirësisë e shërbimit ndaj vëllezërve, shpëtimin e të cilëve ndjente
se e kishte për detyrë, si Ipeshkëv. Të krishterët të jenë njerëz të kundrimit dhe
të veprimit: kështu na mëson Shën Izidori i Seviljes. Por, ipeshkvit seviljan iu
desh të linte mënjanë preferencat për një jetë në lutje e meditim. Madje, tregoi një
entuziazëm të qartë apostolik dhe u gëzua kur mbreti vizigot Ermenexhildo u kthye
në fenë e krishterë, duke sjellë kështu bashkimin politik dhe fetar në tokat e tij.
Gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar vështirësia e jashtëzakonshme për të përballuar
si duhet problemet mjaft të rënda si marrëdhëniet me heretikët dhe me hebrenjtë. Një
seri problemesh që duken shumë konkrete edhe sot, sidomos nëse merret parasysh atë
ç’ndodh në disa rajone të botës, ku duket se riprodhohen situata shumë të ngjashme
me ato të gadishullit iberik në shekullin e gjashtë. Reflektimet e Shën Izidorit,
që përmbledhin dhe shprehin jetën e plotë të krishterë, kanë qenë dhe janë edhe sot
të çmueshme për të sqaruar marrëdhëniet ndërmjet jetës kundruese dhe asaj aktive.
Duke imituar Jezu Krishtin, i cili rrinte me turmat, por tërhiqej në vetmi kur
lutej, edhe ai që i shërben Zotit, shkruante shën Izidori, t’i kushtohet kundrimit
të Fjalës së Hyjitpa hequr dorë nga jeta aktive e përditshme. Të sillemi
ndryshe nuk do të ishte e drejtë. Si duhet ta duam Zotin përmes kundrimit, si
duhet ta duam të afërmin përmes veprimit… Mendoj se kjo është sinteza e një jete,
që kërkon kundrimin e Zotit, dialogun me Zotin në lutje e në leximin e Shkrimeve të
Shenjta të Biblës, por edhe veprimin në shërbim të bashkësisë njerëzore e të të afërmit.
Kjo sintezë është leksioni apo mësimi, që ipeshkvi i madh i Seviljes shën Izidori
na lë neve, të krishterëve të sotëm, të thirrur ta dëshmojmë Krishtin në fillim të
mijëvjeçarit të ri.