2011-04-04 15:32:01

Indi, Madhya Pradesh: sulmohet një meshtar katolik


Sulmi kundër një meshtari, trondit thellë Kishën në Indi. Atë Sebastian Kaiparambil, meshtar katolik, 45 vjeç, me seli në Badwa, dioqeza e Khandva, u sulmua dhe u plagos rëndë në orët e mëngjesit ndërmjet 29 e 30 marsit. Sipas njoftimit të Agjensisë Fides, meshtari po flinte kur, rreth orës 2, 30 të mëngjesit, tre persona hynë në dhomën e tij, e rrahën mizorisht e pastaj ikën, duke rrëmbyer rreth 50 mijë rupie, Meshtari është famullitar i kishës së Shën Marisë dhe drejtor i shkollës anekse. Policia deri tani nuk ka dhënë asnjë njoftim për arsyet e sulmit e as për ndonjë masë kundër fondamentalistëve hinduistë. Ipeshkvi i vendit, imzot Sebastian Durairj, theksoi se meshtari i sulmuar është misionar shumë aktiv, që ka marrëdhënie të mira me të gjithë. Pas kësaj ngjarjeje, imzot Leo Kornelio, kryeipeshkëv i Bhopalit, i dorëzoi kryeministrit një memorandum, përmes të cilit nënvizon se është shumë i shqetësuar për sulmin e se kërkon mbrojtje e siguri për të krishterët.







All the contents on this site are copyrighted ©.