2011-04-04 15:52:08

Imzot Rrok Mirdita: Kryegjyshi Haxhi Dede Reshat Bardhi dha kontribut të madh për demokracinë dhe dialogun ndërfetar në vendin tonë.


Në emër të Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, shkëlqesia e tij Imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës, i shpreh ngushëllimet Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Baba Dede Reshat Bardhi.
Baba Reshat Bardhi ka qenë qysh në fillimet e demokracisë në Shqipëri udhëheqësi kryesor për rimëkëmbjen e Komunitetit Bektashi në Shqipëri, por edhe ka dhënë një kontribut të madh për demokracinë dhe dialogun ndërfetar në vendin tonë. Me shembullin dhe fjalën e tij ai ka përçuar paqen dhe harmoninë, për të cilën aq shumë nevojë ka pasur në këto vite vendi ynë.
Jemi të sigurt se kontributi i tij do të japë fryte të mëtejshme në jetën e Komunitetit Bektashian dhe në jetën shoqërore shqiptare. I drejtojmë lutjet tona Perëndisë së gjithëpushtetshëm për shpirtin e Baba Reshat Bardhit dhe gjithashtu përtërijmë angazhimin tonë në vazhdimin e traditës së shkëlqyer të dialogut ndërfetar në Shqipëri për të cilin Baba Reshati ka dhënë aq shumë.
Qeveria e Shipërisë ka shpallur ditën e sotme dite zie kombëtare për vdekjen e kreut të kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Haxhi Dede Reshat Bardhi u nda nga jeta të shtunën e kaluar në moshën 76 vjeçare pasi prej kohësh vuante nga probleme të rënda shëndetësore dhe dy herë i ishte nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.
Të gjithë institucionet e Shqipërisë mbajtën sot flamujt të ulur në gjysme shtize kurse në orën 12.00 një minutë heshtje. Në një protokoll të posaçëm të miratuar nga qeveria e Tiranës nga ora 10 deri 12:00 u zhvilluan homazhe në Pallatin e Kongreseve për Kryegjyshin e Bektashinjve ndërsa trupi i tij sipas ritit fetare të kësaj Bashkësie u varros pranë kryegjyshates në orën 13.30 më një ceremoni të posaçme fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.