2011-04-04 14:45:36

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot kujton Gjon Palin II: “Papë e dëshmitar i madh i Krishtit”.


(04.04.2011 RV)Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi, me nderim të thellë, Papën dhe dëshmitarin e madh të Krishtit, Gjon Palin II. Më pas i ftoi turmat e besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, ta provojnë dhuratën e dashamirësisë së Zotit në kohën e Kreshmëve. Në takimin me Krishtin, kujtoi Papa, gjejmë forcën për të fituar mbi të keqen e për të bërë të mirën.

Benedikti XVI kujtoi me dashuri Paraardhësin e tij të dashur, një ditë pas përkujtimit të gjashtëvjetorit të vdekjes së Gjon Palit II, në sa afrohet dita e shumëpritur, 1 maji, kur Papa Vojtila do të lartohet në nderimet e lterit. Prandaj, shpjegoi Papa Racinger, nuk e kremtova Meshën tradicionale për shpirtin e tij, por u mjaftova ta kujtoj me dashuri në lutje, ashtu si ju kujtoj ju të gjithëve:
“Ndërsa, duke ecur në udhën kreshmore, përgatitemi për festën e Pashkëve, i afrohemi me gëzim edhe ditës kur do të mund ta nderojmë si të Lum këtë Papë të madh, dëshmitar të jashtëzakonshëm të Krishtit, e t’i lutemi edhe më shumë të ndërmjetësojë për ne”.
Më pas, ftesa e Benediktit XVI që ta provojmë dhuratën e dashamirësisë së Zotit, posaçërisht në këtë kohë Kreshmësh, kohë mëshire e hiri. Duke kujtuar temën e gëzimit, përmes faqes së djeshme ungjillore, në të cilën Jezusi shëron një njeri, që kishte lindur i verbër, Benedikti XVI vuri në dukje rrugën e fesë. Këtë rrugë njeriu i thjeshtë e i sinqertë e ndjek hap pas hapi: në fillim e takon Jezusin, si njeri ndërmjet njerëzve; pastaj e quan profet e, së fundi, kur sytë e tij të verbër hapen e ai nis të shikojë qartë, e shpall Zot. Farizejtë, përkundrazi, nuk duan ta pranojnë mrekullinë, ndërsa turma e ndjek nga larg me indiferencë. E deri prindërit e të verbërit, që fiton mrekullisht dritën e syve, në vend që të gëzohen, kanë frikë nga fjalët e botës:
“Edhe ne, për shkak të mëkatit të Adamit, lindëm të verbër, por në gurrën e Pagëzimit, sytë tanë u hapën nga hiri i Krishtit”.
Në se mëkati e plagosi njerëzimin, duke e dënuar me errësirën e vdekjes, në Krishtin shkëlqen përsëri drita e jetës, caku i fundmë, drejt të cilit jemi të thirrur të ecim, nënvizoi akoma Papa. Nga feja marrim forcën për të fituar mbi të keqen e për të bërë të mirën:
“Në të vërtetë jeta e krishterë është përpjekje e vazhdueshme për t’i përngjarë Krishtit, figurë e njeriut të ri, që na prin drejt bashkimit të plotë me Hyjin”.
Jezusi është drita e botës! Ai vijon të na tregojë kuptimin e vërtetë të jetës njerëzore, në sa ecim në rrugët e ndërlikuara, përplot me prita, të historisë:
“Kur jeta jonë ndriçohet nga misteri i Krishtit, provohet gëzimi i pakufishëm i çlirimit nga çdo gjë, që e kërcënon realizimin tonë të plotë”.
Në përfundim, thirrja: “Në këto ditë, të cilat na përgatisin për Pashkë, ta përtërijmë në shpirtin tonë dhuratën, që morëm në Pagëzim”:
“Atë flakë, që nganjëherë rrezikon të shuhet, ta ushqejmë me lutje e me dashuri për të afërmin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.