2011-04-02 13:15:54

Shenjtorët e javës 3-10 prill 2011


Me 3 prill, e diela e katërt e Krezhmëve, Kisha Katolike përkujton edhe shën Sikstin I, papë, shën Gjonin, ipeshkëv i Napolit dhe shën Rikardin nga Anglia. Liturgjia e kësaj së diele reflekton mbi Pagëzimin e krishterë, përmes të cilit njeriu kalon nga errësira e mëkatit në mbretrinë e dritës, për të jetuar si “bir i dritës”, siç thotë Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Efesianëve.

Të hënën, më 4 prill, kremtohet festa liturgjike e shën Izidorit, ipeshkëv, e shën Gaetanit Katanozo dhe e shën Benedikt Moros, françeskan. Leximet e së hënës tregojnë për premtimin që Zoti i bëri popullit të vet për një epokë, ku nuk do të ketë më as lotë, as ankth. Kjo epokë përvijohet me ardhjen e Krishtit e do të arrijë plotësinë në fundin e kohrave.

Të martën, Ungjilli na thotë se Zoti është për ne strehë e forcë. Në qendër, Sakramenti i Pagëzimit, me anë të të cilit njeriu bëhet bir i Hyjit. Uji është simbol i shëlbimit. Përmes zhytjes në të e me forcën e Shpirtit Shenjt, secili prej nesh fillon rrugën drejt përsosurisë. Këtë ditë përkujtohen shën Irena, virgjër e martire dhe shën Vinçenc Ferrer, domenikan.

Më 6 prill, ditën e mërkurë, Kisha Katolike kremton festën e shën Pietrit nga Verona, meshtar domenikan e martir dhe të së Lumes Katerina nga Palanca. Liturgjia na mëson se kohët e Zotit nuk janë të njëjta me kohët e njerëzve, por kjo nuk do të thotë se ai nuk na ndihmon. “Zoti mënon, por nuk harron”, thotë populli.

Të enjten përkujtohen shën Gjovani Batista de la Sal, themelues i Vëllezërve të Shkollave të Krishtera e shën Herman Jozefi. Ungjilli na tregon se atyre që nuk e njohin, Jezusi u paraqet katër dëshmi në favor të tij: shën Gjon Pagëzuesin e fjalën e tij, veprat e veta, zërin e Atit të Gjithpushtetshëm e atë të Shkrimit Shenjt. Këta janë dëshmitarët më të besueshëm për Krishtin edhe sot.

Zoti u qëndron pranë zemërvrarëve. Më 8 prill, ditën e premte, Fjala e Hyjit na paraqet Jezusin si të Drejtin, që duan ta vrasin, pasi me fjalët e tij i vë mëkatarët para fajeve të tyre. Në këtë datë, Kisha përkujton shën Dionizin, ipeshkëv i Korintit dhe shën Amantin.

Të shtunën e ardhshme, 9 prill, festohen shën Dimitri, shën Libori, ipeshkëv e shën Valtruda. Ungjilli dëshmon se në çdo kohë, njerëzit kanë pyetur se kush është Jezusi. Edhe sot, pranimi i identitetit të Tij i ndan njerëzit më dysh: dikush i shkon Krishtit pas, ndërsa të tjerë preferojnë t’i kthejnë shpinën.

Të dielën, më 10 prill, e pesta e Krezhmëve, kisha përkujton shën Madalenën e Kanosës, virgjër, themeluese e Bijve e të Bijave të Bamirësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.