2011-04-02 13:16:31

Atë Federiko Lombardi mbi ngjarjet e fundit në Afrikë shenjë e një rizgjimi të kontinentit të zi. “Gjak i derdhur për të gjithë”


Ngjarjet e fundit në Afrikë dëshmojnë për një rizgjim të kontinentit të zi, që ka dëshirë të ndryshojë mënyrën me e qeverisjes së pushtetarëve të korruptuar, me shpatulla të ngrohta, pas të cilave qëndron shpesh kapitali perëndimor. Në Bregun e Fildishtë, konfrontimi ndërmjet presidentit të zgjedhur Ouatra dhe atij, që duhet t’ia lerë vendin, por nuk do që të ikë, Gbagbo; në Libi, Gedafi dhe opozita; në Jemen, në Siri e gjetiu, protesta e manifestime. Gjaku i derdhur nuk mund të mos na kujtojë gjakun e derdhur nga Jezusi, reflekton zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në komentin javor të sotëm, në të dielën e katërt të Krezhmëve.
“Gjaku i Jezusit ‘nuk derdhet kundër ndokujt, por është gjak i derdhur për shumë, për të gjithë… Ne të gjithë kemi nevojë për forcën pastruese të dashurisë e ajo forcë është gjaku i Tij. Nuk është mallkim, por shpëtim”. Ky është njëri nga pohimet e librit të fundit të Papës mbi Jezusin, pohim, që ka tërhequr vëmendjen e mirëdashjen e shumë personave, sepse eliminon me vendosmëri nga rrënjët ato interpretime të një fraze të Ungjillit që tingëllonin si dënim për popullin hebraik.
Por sot, na vijnë në mend këto fjalë, duke parë sa gjak derdhet, si në Bregun e Fildishtë, si në Libi, ashtu edhe në shumë vende të tjera të botës. Gjak i derdhur për luftra civile, për konflikte të brendshme në vende, që megjithëse shumëetnike, shumëfetare ose shumëkulturore, duhet të përpiqen të zhvillohen si një bashkësi njerëzore e qytetëruar, por në vend që të bëjnë kështu, hapin humnera urrejtjesh jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen.
Kur shohin gjakun e derdhur, të krishterët nuk mund të mos kujtojnë gjakun e Jezu Krishtit. Zoti është afër, është i pranishëm e merr pjesë në vuajtjen e shkaktuar nga dhuna vëllavrasëse, për të cilën mund të kënaqen vetëm armiqtë e njerëzimit. Zoti vazhdon t’i dojë të gjithë e të dëshirojë shëlbimin për të gjithë, për të gjitha palët, duke paguar çmimin e lodhjes dhe të besueshmërisë së kësaj dashurie.
Në fund të fundit, kjo armë është më e dobët, apo më e fuqishme se të tjerat? Rruga drejt kryqit dhe ringjalljes mbështet impenjimin e vështirë të të gjithë ndërtuesve të paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.