2011-04-01 18:51:22

Vështirë të kuptohet kur do të përfundojë emergjenca bërthamore në Japoni


(01.04.2011 RV)10 mijë herë më i madh se niveli maksimal i lejuar: ky është radioaktiviteti i ujit nën reaktorin n.1 të Fukushimës në Japoni. Ai shkaktohet kryesisht nga jodi, me periudhë përgjysmimi prej 8 ditësh, por ka zëra edhe për praninë e çeziumit, element radioaktiv më i rrezikshëm për shëndetin. Pranë reaktorëve, autoritetet kanë gjetur së paku njëmijë kufoma, por askush nuk mund t’i tërheqë e t’i varrosë për shkak të rrezikut të lartë të ndotjes nga lëndët radioaktive.
Kryeministri japonez, Naoto Kan vazhdon të deklarojë se popullsia nuk është në rrezik, por të paktën pranon se gjendja në centralin bërthamor të Fukushimës është e vështirë e nuk lejon përcaktimin e një afati për zgjidhjen e problemit. Ekspertët diskutojnë për fatin e reaktorëve. Hipoteza më e mundshme është ajo e ndërtimit të një lloj “sarkofagu” prej çimentoje, ku të mbyllet reaktori.








All the contents on this site are copyrighted ©.