2011-04-01 18:43:09

Predikimi i dytë i Kreshmëve. Atë Kantalamesa thekson se dashuria e ndryshon jetën


“Zoti është dashuri” ishte tema e predikimit të dytë të Kreshmëve, mbajtur në Vatikan nga atë Raniero Kantalamesa, në praninë e Benediktit XVI. Predikatari i Shtëpisë Papnore kujtoi se kumtimi i parë e themelor, që Kisha është e ngarkuar t’ia përçojë botës e që bota e pret prej saj, është ai i dashurisë së Zotit. Por, që ungjillëzuesit të jenë në gjendje ta transmetojnë me siguri këtë lajm të madh, është e nevojshme që, së pari, ata vetë të jenë të përshkuar tejembanë nga dashuria e Zotit e që Zoti të jetë drita e jetës së tyre. Ajo që ka më shumë rëndësi lidhur me dashurinë e Zotit – vijoi Atë Kantalamesa – nuk është se njeriu e do Zotin, por se Zoti e do njeriun, e do i pari. Nga kjo varet gjithçka vjen pas, e edhe mundësia jonë për ta dashur Zotin.
Feja e krishterë duket e lehtë për t’u ndjekur, e këndshme për t’u jetuar. Por nuk është ashtu. Krishterimi është, ndoshta, gjëja më e vështirë për ne, krijesat e ligështa njerëzore. Nuk duhet harruar se na fton të ndjekim Njeriun-Zot, që shkon të kryqëzohet! Por në se do të besonim me gjithë zemër se Zoti na do, atëherë jeta, ne vetë, sendet, ngjarjet, e deri vetë dhimbja, vetë kryqi, gjithçka, gjithçka, do të merrte një pamje krejt tjetër para syve tanë.Njerëzit kanë nevojë ta dinë se Zoti i do, e askush më mirë se dishepujt e Krishtit nuk është në gjendje ta çojë këtë lajm të mirë deri në skutat më të errëta e më të harruara të botës, ku vuajtja shkatërron e dhimbja mbyt. Shumë të tjerë – shpjegoi predikatari i Shtëpisë Papnore - e shikojnë me syrin e të krishterëve frikën nga Zoti, shqetësimin për drejtësinë shoqërore, respektin për njeriun, për paqen, për tolerancën; por askush – e përsëris, askush – as filozofët e as ndjekësit e feve të tjera, nuk i thonë njeriut se Zoti e do, e se e do i pari… Gjithçka mund të vihet në dyshim, të gjitha siguritë mund të zhduken në një çast të vetëm, por nuk do të zhduket kurrë siguria se “Zoti na do, e dashuria e tij është më e fortë se gjithçka tjetër, edhe se vetë vdekja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.