Nga Triptiku Romak, sipas Gjon Palit II: “Takim me Dritën”.
Takim me Dritën… Kur shkelim në breg të vjeshtës, në shtjellë
stuhie rrahen, përplasen në skaje të rrëmbyeshme: sosja frymëshkurtë, e
vrulli i valëve të gjakut. Dëshira kundërshtare ndeshen në shtjellë stuhie, mbi
breg të vjeshtës. Sosja ka ejte, do të kthehet prap në jetë. Te ajo që ishte, që
është e nuk është jetë. Fija e fundit këputet, në sa dashuria digjet nga dëshira për
të rrahur flatrat lart, për të fluturuar ku lind agimi ku shndrit një ditë
e re në breg të pranverës pa mort. Dëshira kundështare, në shpirtin endacak ende
në brigje të vjeshtës. Tërbohet lufta e ndarjes. korpi lufton me shpirtin për
udhë drejt qiellit. Lufton, pse dridhet droje në skajin e së sotmes, drejt
bregut të panjohur ku shkelin vetëm shpirtrat. Drejt ditës së re. Por s’ia
del dot ta lidhë këtë ditë me korp të vet që është e nuk është më, në fill
të mortjes, kur jeta këputet, sytë ngrihen e pushojnë në pikë të Dritës.