2011-03-31 16:16:49

Papa: Kisha t’u ofrojë të rinjve arsye shprese përmes shpalljes së besueshme të Ungjillit


(31.03.2011 RV)“Të lutemi që Kisha të dijë t’u ofrojë brezave të rinj, përmes shpalljes së besueshme të Ungjillit, arsye gjithnjë të reja jete e shprese”: ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Papës për muajin prill, që fillon nesër. Mbi këtë ndjet, që u drejtohet klerit e besimtarëve, ndalet drejtori i Shërbimit të baritorisë rinore në dioqezën e Romës, don Mauricio Mirili:
Më të drejtë, Papa i kërkon shembullin e jetës ungjillore botës së të rriturve, besimtarëve të rritur, pasi brezat e rinj kanë nevojë për dëshmitarë të besueshëm. Të gjithë kanë nevojë, por, në veçanti të rinjtë, që janë edhe më kërkues nga kjo pikëpamje. Nuk është e rastit, që kur të rinjtë takojnë një dëshmitar të vërtetë, një besimtar të vërtetë, i cili është gati të japë edhe jetën për Ungjillin, e ndjekin përgjithmonë.
Aspekti i besueshmërisë së dëshmisë duket se nënvizohet më shumë nga fjalët e Papës. Kemi nevojë për dëshmitarë, më tepër se sa për mësues, pohonte Papa Pali VI…
Sigurisht. Pali VI na ka lënë këtë frazë të rëndësishme, që edhe pas tij, Papët janë përpjekur ta shpallin vazhdimisht e ta mishërojnë në jetë, mjafton të kujtojmë Gjon Palin II. Shumë të rinj e kanë dashur, kanë marrë pjesë në ngjarjet pas vdekjes së tij, shumë do të vijnë në lumnimin e tij e kjo, pikërisht sepse ai mishëroi konkretisht Ungjillin.
Më 1 maj, lumnimi i Gjon Palit II e pastaj, Dita Botërore e Rinisë në Madrid…
Janë dy ngjarje të mëdha për krejt Kishën e në veçanti për të rinjtë, që janë më tepër të gatshëm të lëvizin, të udhëtojnë, edhe në kushte jo optimale. Në Ditët Botërore të Rinisë, të rinjtë flenë përtokë, kalojnë netë të tëra në lutje e kështu me radhë.
Papa Benedikti XVI, në ndjetin e lutjes, flet për arsye gjithnjë të reja jete e shprese. Pikërisht këtë kërkojnë gjithnjë të rinjtë, apo jo?
Pikërisht këtë kërkojnë gjithnjë e kjo është edhe ftesa, që na bën Shën Pjetri në Letrën e tij: jepni arsyet e shpresës brenda jush. Është e qartë, se arrijmë te feja jo vetëm përmes arsyetimit intelektual, por edhe përmes përvojës konkrete. Që ta jetojnë këtë përvojë, të rinjtë kanë nevojë ta prekin me dorë, ta shohin përmes jetës së të tjerëve, që i thonë vetes besimtarë. Kjo duhet të jetë e dukshme. Ja përse thuhet “jepni arsyet”, pra, bëjini të dukshme, tregojeni me jetën tuaj se gjithçka thoni është e vërtetë e, atëherë, të rinjtë do të besojnë. Ky është edhe provokimi i të rinjve të sotëm: ti që thua se beson, dëshmo se ajo që thua është e vërtetë e jo përrallë.








All the contents on this site are copyrighted ©.